Prapaskena

“Jam i sëmurë”, GJKKO lë në burg Fatos Tushen, ish-kryebashkiaku i Lushnjes dështon për herë të 4 të dalë nga qelia

Publikuar: 30/09/2021

Gjykaata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lë në burg ish-kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe. Ky i fundit, për herë të katërt ka kërkuar të dalë nga qelia pasi pretendon se është i sëmurë.

Megjithatë, GJKKO nuk ka marrë parasysh kërkesën e ish-kryebashkiakut të PS të akuzuar për korrupsion dhe e ka lanë atë në burg. Përmes avokatit, Fatos Tushe kërkonte masë më të butë sigurie, për të qëndruar në shtëpi.

“Z. Tushe vuan prej vitesh nga sëmundje kardiake, diabet, gur në tëmth me kriza të vazhdueshme akute, nga mushkëria si dhe është alergjik/intolerant ndaj disa ushqimeve. Problemet shëndetësore të tij provohen nga të dhënat e pasqyruara në dokumentat e poshtëshënuara”, thuhej në një shkresë të depozituar në Gjykatë nga avokati i Tushes, në një nga kërkesat e mëparshme për të lënë qelinë.

Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, i akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tendera” u arrestua së bashku me disa zyrtarë të tjerë me urdhër të SPAK.

Në dosjen e SPAK, thuhet se Fatos Tushe në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë, kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.



Më të lexuarat