Prapaskena

Të rinjtë gjermanë dhe “kozakët” shqiptarë

Publikuar: 28/09/2021

Gjermania sapo doli nga një palë zgjedhje, që me gjasë do të jenë historike, pasi për herë të parë pas 16 vitesh pushtet të së djathtës do të rikthejnë në pushtet socialdemokratët e majtë. Këta të fundit arritën një fitore të ngushtë, që nuk u mundëson të vetëm shumicën dhe një koalicion është i domosdoshëm.

Socialdemokratët dhe vetë kandidati potencial i tyre për Kancelar, Olaf Scholz kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni të madh me CDU-në e Merkel dhe kanë hedhur sytë nga dy partitë e tjera, të Gjelbërit dhe Liberalët.

Të dyja partitë arritën një rezultat historik, të Gjelbërit me premtimet për politika më agresive në mbrojtje të mjedisit dhe luftuar ngrohjen globale dhe Liberalët, ose “Partia Demokratike e Lirë”, që është një parti e së djathtës që mbështet sipërmarrjen e lirë gjithashtu regjistroi një rezultat pozitiv.

Sipas përllogaritjeve paraprake, në Bundestagun e ri, të Gjelbërit do të kenë 118 deputetë, ndërsa Liberalët 92 të tjerë. Socialdemokratët kanë vetë 206 mandate dhe një koalicion me këto dy parti do t’i jepte një shumicë të qetë qeverisëse.

Por, më shumë se rezultati, që deri diku edhe parashikohej, sado i paparashikueshëm të jetë elektorati gjerman, përshtypje në zgjedhjet e 26 shtatorit bën ndarja e votës sipas moshës. Sipas anketave, Të Gjelbërit dhe Liberalët kanë marrë mbështetjen e mbi 75 për qind të votuesve nën 30 vjeç.

Asnjëra prej këtyre partive nuk doli në fushatë elektorale me slogane ekskluzivisht për të rinjtë, siç rëndom kanë dalë në këto vite partitë politike shqiptare, që sapo marrin votën synojnë përgjithësisht kanë synuar sistemimin e militantëve nëpër vende pune shtetërore.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë së pari se shqetësimet e të rinjve gjermanë nuk janë lexuar siç duhet nga partitë tradicionale, CDU dhe SPD, që kanë qeverisur vendin herë njëra e herë tjetra prej Luftës së Dytë Botërore.

Ata nuk i tërhoqi programi social i të majtëve për strehim, as programi konservator i të djathtëve për stabilitet e politika të qëndrueshme ekonomike. Të rinjtë gjermanë u tërhoqën nga çështje që lidhën me klimën, apo sipërmarrjen. Me votë kërkuan më shumë politika në mbrojtje të mjedisit dhe më shumë politika kundër burokracive e taksave të sipërmarrjes.

Tani të vijmë te të rinjtë në Shqipëri. Krahasimi mund të duket i tepërt, sepse fare mirë mund të thuhet që hallet që kanë të rinjtë shqiptarë s’i kanë ata gjermanë. Por, shembuj nga historia na kanë treguar se sa më të mëdha të jenë problemet, aq më të fortë bëhen brezat për t’i zgjidhur ato probleme.

A kemi një brez më intelektual se ai i ’90-s? Vështirë të thuhet po. A është një brez i rritur me më shumë vështirësi se ai i ’90-s? Nëse do të ishte kjo, atëherë të rinjtë sot nuk do të tërhiqeshin pas “Kozakëve” dhe “Kozakeve” në internet. Kozakët janë modeli që ata ndjekin, modeli për të cilin kanë kureshtje dhe që mbase edhe mund ta votojnë.

Prandaj, më shumë është çështje orientimesh e politikash. Si shembull, Islanda në fillim të viteve ’90 pati një problem të madh me të rinjtë; alkoolin. Ky i fundit pasonte efektin zinxhir të uljes së interesit për arsimim, ambicie e kulturë të përgjithshme të të rinjve.

Në atë periudhë, në vendin e vogël ishullor sot me rreth 350 mijë banorë u hartua një strategji se si të dilej nga kjo situatë. Me përjashtim të disa rregullave që rritën taksat për pijet alkoolike dhe ashpërsuan penalitetet për shitjen e tyre për personat nën 16 vjeç, baza e strategjisë ishte arsimimi.

Shteti stimulonte me bonuse financiare prindërit që linin nëpër institucione arsimore fëmijët e tyre përtej orarit zyrtar të mësimit. Në këtë orar, aktivitetet kryesore ishin sportive, edukative dhe kulturore.

Gjithashtu, u ngritën qendra sportive e kulturore në vend për t’i mbajtur larg të rinjtë nga lokalet e alkooli. U stimuluan garat në të gjitha llojet e sporteve përmes çmimeve financiare jo edhe aq simbolike, si dhe u ndërmor një fushatë e vazhdueshme disavjeçare për stimulimin e të rinjve për aktivizimin e tyre në të gjitha fushat.

Pas disa vitesh, aktivizimi në politikë, sport, kulturë e art nuk ishte më “turp”, por krenari. E sot, falë kësaj strategjie, Islanda e vogël është shumë herë më e madhe në të gjitha drejtimet. Falë asaj strategjie sot Islanda është bërë një pjesëmarrëse e rregullt në futboll në europiane, e madje edhe botërore.

Ky është dallimi mes të rinjve gjermanë e europianë dhe “kozakëve” shqiptarë. Sigurisht, edhe në Gjermani ka “kozakë”, ashtu siç ka edhe në Shqipëri “europianë” e “gjermanë”, problemi është se këtu duket se janë pakicë.



Më të lexuarat