Avokat Spartak Ngjela komenton operacionin e SPAK sot në Kadastrën e Vlorës. Ai thotë se koha po çmonton krimin 30 vjeçar sepse ndër vite, sipas tij, kryeministra e ministra janë derdhur si të babëzitur në qytetin bregdetar dhe e kanë zhvatur atë.
Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për operacionin në Kadastrën e Vlorës, por atje sot janë parë dhe efektivë të Policisë. Nga burimet jozyrtare u bë me dije se operacioni ishte për dosjet “e nxehta” të pronave në jug, ndërsa të tjera burime thanë se bëhej fjalë për dosje që lidheshin më ish-prokurorin e Sarandës Sali Hasa.
Shkruan Spartak Ngjela:
Prokuroria e Posaçme ka zbarkuar sot në kadastrën e Vlorës. Kjo po më jep idenë pozitive të karakterit profesional kundër korrupsionit.
Të korruptuarit e lartë: kryeministra dhe ministra, atje i kanë provat e krimit. Dhe atje duhej të fillonte çmontimi hetimor i krimit shtetëror tridhjet- vjeçar. Këta banditë, kanë tjetërsuar atje mijëra hektarë, që nga Vlora e deri në Sarandë, dhe, në fshehje, kanë implikuar dhjetëra të tjerë si pronarë të rinj tokash, me të cilët janë të lidhur kriminamisht.
Të gjithë: brishajt, metajt, ramajt, bashajt, dhe një varg i madh ministrash, atje janë derdhur si të babëzitur dhe me tërbim zhvatës. Dhe ja, pikërisht atje po duket se po fillon hetimi antikorrupsion, i korrupsionit kryeministror shqiptar, në tridhjet vjet.
Koha duket se po çmomton krimin tridhjet-vjeçar, duke filluar nga Vlora. Duhet pritur me arsye të vëmendshme.