Ish-shefi famëkeq i policisë fetare të talebanëve ka thënë se dënimet ekstreme si ekzekutimet dhe amputimet do të rifillojnë në Afganistan.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Mullah Nooruddin Turabi, tani në krye të burgjeve, tha për mediumin AP se amputimet ishin “të nevojshme për sigurinë”.
Ai tha se këto ndëshkime mund të mos bëhen në publik, siç ishin bërë nën sundimin e mëparshëm talebanë në vitet 90-ta.
Që nga marrja e pushtetit në Afganistan më 15 gusht, talebanët kanë premtuar një formë më të butë të sundimit se sa në mandatin e tyre të mëparshëm.
Por, tashmë ka pasur disa raporte për abuzime të të drejtave të njeriut të kryera në të gjithë vendin.
Të enjten, Human Rights Watch paralajmëroi se talebanët në Herat “po kërkonin gra të profilit të lartë, duke u mohuar grave lirinë e lëvizjes jashtë shtëpive të tyre dhe duke iu imponuar atyre kodet e detyrueshme të veshjes”.