Prapaskena

Edi Rama sfidon SHBA, i dorëzon Tom Doshit të listës së zezë Shkodrën dhe shëndetësinë; E vërteta që nxori në pah debati Sterkaj-Gjiknuri

Publikuar: 24/09/2021
Një debat për ndarjen e pushtetit në Shkodër, mes Damian Gjiknurit dhe strukturave të Partisë Socialiste të kryeqendrës së veriut, konfirmoi edhe një herë denoncimet e ‘Pamfletit’ se Edi Rama i ka dorëzuar Shkodrën Tom Doshit, pikërisht njeriut të listës së zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tensionet dhe akuzat e fundit për ndarjen e vendeve të punës në Shkodër, tregojnë se Edi Rama e ka zëvendësuar Partinë Socialiste në këtë zonë me Tom Doshin.

Nëse Lulzim Basha vendosi të dëbonte Sali Berishën nga Partia Demokratike vetëm 4 muaj pas shpalljes ‘non grata’ nga amerikanët, Edi Rama nuk është ndarë qoftë edhe një ditë nga Tom Doshi, edhe pse ka tre vite që është shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, trafiqe dhe një sagë krimesh të pandëshkuara deri më sot.

Largimi i Tom Doshit nga Partia Socialiste dhe tërheqja e tij nga mandati i deputetit, janë thjeshtë një marifet i Edi Ramës për t’u hedhur hi syve amerikanëve dhe në funksion të alibisë së tij se Toma gjoja nuk ka lidhje me PS-së. Kjo alibi u përdor nga Rama edhe kur SHBA i kërkuan në pranverën e këtij viti të përjashtonte Tom Doshin nga zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Edi Rama jo vetëm që nuk është ndarë nga Tom Doshi, por Shkodra tashmë quhet Pashallëku i Tomës. Përveç Shkodrës, Edi Rama i ka dorëzuar Tom Doshit edhe një pjesë të buxhetit të shëndetësisë.

Kompania e Tom Doshit, ALDOSCH, të cilën e ka kamufluar në emrin e Aqif Hoxhës, ka marrë mbi 2 mijë tendera në shëndetësi. Kompania e Doshit është e para në Shqipëri për numrin e tenderave që ka marrë nga buxheti i shtetit. Për të kaluar buxhetin e shëndetësisë në llogaritë e Tom Doshit, Edi Rama ka autorizuar ministren Ogerta Manastirliu.

Arsyeja se pse Edi Rama nuk ndahet nga Tom Doshi ka të bëjë me histori të vjetra shantazhi dhe me interesa të pushtetit.

Me paratë që merr në buxhetin e shtetit me tendera dhe vjedhjet me anë të drejtorive që kontrollon në Shkodër, Tom Doshi, në çdo palë zgjedhje blen vota, të cilat i duhen Edi Ramës për të arritur objektivat e tij elektorale. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, grupet e Tom Doshit u kapën në zonat e Shkodrës duke blerë vota.

Ditën e sotme, Damian Gjiknuri dhe Blendi Klosi ishin në Shkodër për të prezantuar drejtuesit e rinj politik në këtë qark. Në këtë mbledhje nisën debatet për të gjitha vendet e punës që i kontrollon Tom Doshi nga pastrueset deri tek drejtorët.

Jo vetëm kaq. Por, Tom Doshi ka nisur të shkarkojë me miratimin e Edi Ramës edhe ata drejtorë të fundit të PS-së. Blediana Nika është shkarkuar disa ditë më parë si drejtoreshë e Zyrës Vendore Arsimore Shkodër nga Tom Doshi.

Ajo denoncoi kapjen e Shkodrës nga ky i fundit.

Gjiknuri kërkoi të nisin përgatitjet për zgjedhjet vendore. Por, krerët e bashkive Fushë Arrës dhe Pukë, Fran Tuci dhe Gjon Gjonaj thanë se nuk kanë se si të përgatisin terrenin për zgjedhjet vendore, kur punësimet i ka Tom Doshi.

Në fund ka shpërthyer edhe deputeti Paulin Sterkaj, i cili tha se pushtetin e kontrollon Tom Doshi. Klosi dhe Gjiknuri mbrojtën në këtë takim Pashallëkun e Tom Doshit, i cili duket se ka marrë peng Edi Ramën, që kur e kërcënoi me gjeste në parlament në vitin 2015./Pamfleti



Më të lexuarat