Prapaskena

12 drejtoritë e policisë në kërkim të Adriatik Llallës / Komisariateve u jepen informacione për ish-kryeprokurorin

Publikuar: 23/09/2021

12 drejtoritë vendore të Policisë së Shtetit, janë vënë në ndjekje të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për të cilët ka tashmë një urdhër arresti. Angazhimi i drejtorive vendore është bërë pas një shkrese nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit e cila ka organizuar punën për arrestimin e 52-vjeçarit. Ky urdhër vjen pas kontrollit të kryer në banesën e Llallës në afërsi të rrugës së Elbasanit.

Menjëherë pas firmosjes së urdhër-arrestit, oficerë të policisë kanë këqyrur sistemin TIMS, ku rezulton se dalja e tij jashtë vendit rezulton në 9 shtator në orën 18, nëpërmjet një fluturimi nga Rinasi për në Romë.

Sipas të dhënave ai ka udhëtuar edhe më herët drejt Turqisë, por është kthyer në Shqipëri. Autoritetet shqiptare kanë marrë informacion se kohët e fundit kur ndodhej në gjykim, Llalla është parë edhe në Hungari e Zvicër.

Shpërndarja e urdhrit në komisariatet e vendit bëhet edhe për shkak se Llalla mund të tentojë të hyjë në vend në mënyrë të parregullt derisa të plotësohen procedurat për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar nëpërmjet Interpolit.

Llalla u dënua me 2 vite burg nga gjykata e posaçme e apelit, ndërsa iu konfiskua një banesë në Durrës, dhe 23 mijë metër katror tokë arë. Për 5 vite ish-kryeprokurori nuk lejohet të ushtrojë funksione publike. Ai u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje të të ardhurave.



Më të lexuarat