Ministria e Shëndetësisë ishte ajo që hapi tenderin me vlerë të kripur 4 MLN € për blerjen e testeve të shpejta për qendrat shëndetësore shqiptare ku do të bëheshin falas, por duke i bërë këto të fundit të pavlefshme kur bie puna për të kaluar kufirin, nëse nuk ke vulën e përfituesit privat.
Tenderi u fitua nga EVITA, sipas atyre që qarkullojnë në media, nën tutelën e Klodian Allajbeut, e megjithatë, pavarësisht se ajo shumë i shkoi oligarkut, në qendrat shëndetësore shtetërore kur bën testin e shpejtë, përfundon me përgjigje një copë letër të shkruar me dorë mbi një deklaratë të printuar. Ndërsa kur vjen puna për të kaluar kufirin, këto teste janë të pavlefshme dhe në dorë “pasaportë” kaluese ke vetëm përgjigjen zyrtare të testit të cilën duhet ta bësh në një prej klinikave private te licencuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë që në Gjermani testet ofrohen falas, dhe në Itali me 15€, në Shqipëri kushtojnë dyfish. Normalisht teste të tilla bëhen pranë TIA, ku privati i licencuar për t’i bërë këto teste është ALNET, laboratori i Klodian Allajbeut të Spitalit Amerikan, i cili ka monopolizuar aeroportin dhe ofron shërbimin PCR i cili kap vlerën 45€ dhe më shumë gjasa ka të infektohesh duke pritur në radhën e gjatë, se sa të dalësh i pastër në mënyrë që mund të udhëtosh.