Prapaskena

Berisha mesazh Metës: Mos dekreto Ulsi Manjan si ministër, saboto qeverinë e re

Publikuar: 05/09/2021

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar në mënyrë të tërthortë aleatit të tij, Presidentit Ilir Meta, që të mos dekretojë Ulsi Manjan si ministër Drejtësie si dhe të sabotojë qeverinë e re të Edi Ramës. Ndërsa Ilir Meta është tërhequr plotësisht nga lufta kundër SHBA dhe ‘çmenduria e prillit’, me shpresën për t’i shpëtuar shkarkimit këtë vjeshtë nga Gjykata Kushtetuese, Berisha vijon betejën me sulme kundër SHBA dhe me thirrje për revolucion. Pas rikthimit pothuajse plotësisht në krye të PD-së, Berisha i ka dhënë ditët e fundit një mesazh Metës, për të vijuar së bashku betejën, duke nisur me sabotimin e qeverisë së re të Ramës.

Në një postim të gjatë të Facebook, Berisha e shpalli qeverinë Rama 3, si fatkeqësinë e tretë kombëtare të shqiptarëve. “Rama 3 është fatkeqësia e tretë kombëtare e shqiptarëve sepse ardhja në pushtet për të tretën herë Edvin Kristaq Ramës bazohet në instalimin e partisë shtet, blerjen masive të votës, përdorimin masiv të të dhënave personale njëlloj si në diktaturë, dhunimin nga bandat dhe krimi i votës së qytetarëve shqiptarë”, shkroi Berisha, duke i dhënë një mesazh të qartë aleatit të tij, Ilir Meta, se nuk duhet ta dekretojë këtë qeveri.

Ndërsa Meta, me tërheqjen e tij kërkon jo vetëm që t’i shpëtojë shkarkimit, por edhe shpalljes në listën e zezë nga SHBA, Sali Berisha e ka vënë theksin tek emri i Ulsi Manjës, i propozuar nga Rama si ministër i Drejtësisë. Berisha i ka kujtuar Metës se Ulsi Manja ishte pjesë e dosjes 184 së krimit zgjedhor në Dibër, dosje e publikuar edhe gazetën gjermane ‘BILD’. Manja del në përgjime duke caktuar në telefon emërime dhe rritje në detyrë të punonjësve të politikë dhe drejtorëve, të angazhuar në zgjedhjet në Dibër. Përmes ripostimit të përgjimit të Ulsi Manjës, Berisha i kërkon Metës që ta refuzojë si ministër.



Më të lexuarat