“Nënpresidentja Harris theksoi se SHBA-ja është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Osmanit.
Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së dhe NATO-s. Deri më tani në Kosovë janë strehuar rreth 500 afganë.
Gjatë kësaj bisede telefonike, po ashtu është diskutuar për çështjen e pandemisë, ku Osmani ka shprehur falënderimin për donacionin prej mbi gjysmë milion doza të vaksinave Pfizer, që SHBA-ja ka nisur të dërgojë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka ftuar numrin dy të SHBA-së, Kamala Harris që ta vizitojë Kosovën, ku “dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti”, thuhet në njoftim.
Të premten, më 3 shtator, Radio Evropa e Lirë raportoi se ka nisur dërgimi në Kosovë i mbi gjysmë milion vaksina Pfizer, donacion nga SHBA-ja.
Ky donacion do të vijë në Kosovë përmes programit COVAX, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.