Prapaskena

Astrit Patozi, mesazh Berishës: Ik sa s’është vonë, je ende në kohë

Publikuar: 03/09/2021

Sali Berisha duhej të shkëputej nga Partia Demokratike që në vitin 2013, kur humbi zgjedhjet parlamentare, u shpreh ish-deputeti Astrit Patozi.

I pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja në emisionin “Top Talk”, se çfarë do t’i thoshte sot Berishën, ish-deputeti demokrat u përgjigj:

“Unë Sali Berishës do t’i kisha sugjeruar… dhe e kam thënë në fakt… që duhej të largohej që me kohë nga PD-ja.

Madje, koha më e mirë ishte 2013-ta, por prapë nuk është vonë. Më dinjitoze do të ishte për të dhe më e dobishme për Partinë Demokratike”.

Patozi e konsideron ish-kryeministrin Berisha si një barrë për të djathtën: “Nuk ka pse të mbajë një ngarkesë tjetër, ndërkohë që boll ka Lulzim Bashën kryetar dhe shumë e shumë halle të tjera”.

Më tej, shton se Berisha dhe kryetari aktual i PD-së duhet “t’i japin fund marrëdhënies me njëri-tjetrin”.

“Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë të detyruar të prononcohen. T’i japin fund një nga marrëdhënieve nga më hipokritet.

Sepse të dy i janë shitur publikut, njëri sikur nuk ka asnjë gisht në vendimmarrjet e mëdha Brenda partisë, dhe tjetri sikur nuk e le ai që të qeverisë, sepse po të qeveriste do të bënte më mirë.

Në fakt, po të ishte i vetëm do të bënte edhe më keq, sipas meje.

Të dy do ta vijnë njësoj, siç e kanë përdorur këtë marrëdhënie të pasinqertë. Do ta vuajnë sepse janë të detyruar të prononcohen. Kanë ardhur në pikën që: hip se të vrava, zbrit se të vrava”, tha ai.

Sipas tij, partia më e madhe opozitare ka një kryetar dhe një trup politike, që ka eliminuar zgjedhjet:

“Për herë të parë, nuk ka pasur zgjedhje në PD. U caktua me gisht nga kryetari kush do ishte pjesë, u caktua filani, filani…. Ka humbur katër herë rresht dhe partia demokratike do të vijë duke rënë”.

Kjo mënyrë e zgjedhjes së anëtarëve të partisë, thotë Patozi, ka krijuar hipokrizi brenda partisë. Madje, në këtë aspekt, e krahason Partinë Demokratike me Partinë Socialiste.

“Duket sikur është e njëjta dorë që i lëviz të dyja fijet në të dyja partitë kryesore. Mendoj se janë interesat e përbashkëta, prandaj kemi këtë situatë që janë si dy pika ujë. Që sipas meje na prezantojnë dy gjysmat e një molle të kalbur”, tha ai.



Më të lexuarat