Prapaskena

Ethet misterioze po vrasin dhjetëra fëmijë në këtë vend

Publikuar: 02/09/2021

Prej më shumë se një jave, fëmijët në Uttar Pradesh të Indisë janë zgjuar me temperaturë të lartë dhe me djersë. Shumë prej tyre u ankuan për dhimbje të kyçeve, dhimbje koke, dehidratim dhe përzierje. Në disa raste, ata raportuan skuqje të përhapura në këmbë dhe krahë.

Të paktën 50 njerëz, kryesisht fëmijë, kanë vdekur nga ethet dhe disa qindra janë shtruar në spital në gjashtë rrethe në pjesën lindore të shtetit. Asnjë nga të vdekurit nuk rezultoi pozitiv me Covid-19.

Në një kohë kur India duket se po shërohet ngadalë nga një valë vdekjeprurëse e koronavirusit, vdekjet në Uttar Pradesh kanë provokuar sërish panik për një “ethe misterioze” që përfshiu fshatrat e shtetit më të populluar të Indisë.

Mjekët në disa nga rrethet e prekura – Agra, Mathura, Mainpuri, Etah, Kasganj dhe Firozabad – besojnë se dengue, një infeksion viral i përhapur nga mushkonjat, mund të jetë shkaku kryesor i vdekjeve.

Ata thonë se shumë nga pacientët u dërguan në spital me një rënie të trombociteve, çka karakterizon një formë të rëndë të dengues.

“Pacientët, veçanërisht fëmijët, në spitale po vdesin shumë shpejt,” thotë Dr Neeta Kulshrestha, zyrtarja më e lartë shëndetësore e rrethit Firozabad, ku 40 persona, përfshirë 32 fëmijë, kanë vdekur javën e kaluar.

E transmetuar nga mushkonjat femra, dengue është kryesisht një sëmundje tropikale dhe ka qarkulluar në Indi për qindra vjet. Është endemike në më shumë se 100 vende, por rreth 70% e rasteve raportohen nga Azia. Ekzistojnë katër viruse të saj dhe fëmijët kanë deri në pesë herë më shumë gjasa të vdesin gjatë një infeksioni të dytë të dengue sesa të rriturit.



Më të lexuarat