Midis njërës dorëheqje të fund prillit të Tom Doshit nga mandati i deputetit dhe tjetrës së Lefter Kokës të martën e fillim shtatorit nuk pati ndonjë ndryshim të rëndësishëm në përmbajtje.
Tom Doshi bëri publike përmes Facebook-ut arsyet e dorëheqjes, një deklaratë e gjatë, me argumentin se PSD i kishte arritur objektivat.
Por shumëkush kuptoi se arsyeja lidhej gjetkë me paralajmërimin e vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë të ambasadores amerikane Yuri Kim se në Kuvend nuk duhet të futeshin deputet të shpallur “non grata” nga DASH apo ata me rekorde kriminale.
Tom Doshi e ka shpallur veten të pastër deri më tash, pa hequr dore nga drejtimi i PSD-së.
Rasti i dytë është dorëheqja po aq e beftë e Lefter Kokës.
Edhe ky i fundit nuk jep ndonjë arsye thelbësore se pse dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, detyrë për të cilën u prish këtu e dy vjet më parë edhe me LSI.
Përgjigja e tij lidhet me dorëzimin e stafetës të tjerëve që kanë kontribuar për partinë dhe fitoren e tij. Kaq.
Por edhe në rastin “Koka” qëndron sërish një “Kim” në mes.
Në fillim të muajit gusht, pas deklaratës së fortë që pasoi kërkesa e saj për Sali Berishën, ambasadorja amerikane Yuri Kim postoi një editorial në faqen e saj Facebook.
Një shënim i parapërgatitur nga ana e saj me porosi të drejtpërdrejta. Ndër radhë, edhe ajo drejtuar dy liderëve kryesorë në vend
“Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”, shkruante Yuri Kim duke lënë të hapur interpretime nga më të ndryshmet se pas Doshit, Ruçit të dorëhequr në një tjetër formë, apo kërkesës për Berishën, në tavolinë kishte edhe të tjerë emra që si Rama ashtu edhe Basha duhet t’i rishikonin.
A është edhe rasti i Leftër Kokës një reflektim nga Edi Rama për t’i kërkuar atij paraprakisht dorëheqjen, kur mbeten edhe pak dite nga betimi zyrtar në Kuvend për mandatin e deputetit?
Koha, kërkesa e drejtpërdrejtë e Yuri Kim për Ramën dhe Bashën, akuzat disa vjeçare të opozitës adresuar atij, si dhe dorëheqja pa arsye thelbësore e Lefter Kokës i lë vend shumë përgjigjeve.
Instituti për Studime Politike që është marrë gjatë me CV-në e secilit prej deputetëve të zgjedhur, në një raport të tij, të do kohëve më parë nënvizonte se disa të tjerë janë nën presion për dorëheqje për shkak të rekordeve personale, të papajtueshme me standardet e dekriminalizimit apo të integritetit në politikë…
Që do të thotë se të tjera dorëheqje “parimore” mund të na presin. Yuri Kim e tha fjalën e saj…