Kompania që duhet sekuestruar nga SPAK për pastrimin e parave të drogës dhe prostitucionit merr tendera me vlerë miliona euro nga Manastirliu dhe drejtorët e saj, përjashtohet kompania me ofertë 400 mijë USD më pak
Në një kohë kur SPAK vijon pushimet, kompania e një shefi prostitucioni dhe bosi droge në Itali, ka marrë tenderin e radhës korruptiv në sektorin e shëndetësisë. Bëhet fjalë për kompaninë mafioze ‘Devis sh.p.k’, e themeluar nga Lefter Lamaj, një prej shefave famëkeq të prostitucionit të grave dhe vajzave në rrugët e Italisë, por edhe një nga bosët e drogës në Piacenza të Italisë. Kjo kompani, në vend që të sekuestrohej nga SPAK në bazë të ligjit anti-mafia për pastrimin e parave të prostitucionit dhe drogës, ka marrë deri më tani mbi 14 milionë USD tendera korruptivë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe degët e saj. Ditët e fundit, Drejtoria e Shërbimit Spitalor Sarandë, ka vendosur t’i japë një tender me vlerë rreth 1 milionë USD kompanisë Devis shpk, për shërbimin e lavanterisë. Tenderi për kompaninë e bosit të drogës është përcaktuar disa muaj para shpalljes së tenderit, ndërsa paratë që duhet të kurseheshin nga një garë reale, dyshohet se janë ndarë me njëri-tjetrin.Në mënyrë korruptive është përjashtuar nga gara kompania ‘LAVANTERI- ELITE’, e cila ka paraqitur një ofertë me vlerë rreth 400 mijë USD më të ulët se sa kompania mafioze ‘Devis sh.p.k’. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, me urdhër të kupolës së korruptuar të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë bërë të mundur sajimin e lloj-lloj ‘bishtave’, për të hedhur poshtë ofertën që do të kursente 400 mijë USD. Mbetet për t’u parë nëse SPAK më në fund do të sekuestrojë dosjen e këtij tenderi dhe do të zbatojë ligjin anti-mafia për kompaninë Devis. Kompania sot në letra rezulton në emrin e Kristina Leka, e cila është gruaja e bosit të drogës, Lefter Lamaj, i dënuar në Itali me 11 vite burg për krime të rënda.
Lefter Lamaj e kaloi kompaninë në emrin e gruas që në vitin 2008, me qëllim për të humbur gjurmët e pastrimit të parave të pista që kishte fituar në Itali me prostitucion dhe drogë. Në vitin 2009, në Shqipëri është miratuar ligji anti-mafia. Ky ligj ende nuk është zbatuar për kompaninë Devis shpk, e ngritur me paratë e prostitucionit dhe drogës, ndërsa vetë Lefter Lamaj është dënuar me 5 vite burg në Shqipëri, ku arriti të dalë shumë shpejt. Shqipëria është kthyer në një oaz për strehimin e njerëzve të krimit dhe pastrimin e parave të pista. Kompanitë e mafies guxojnë që të marrin edhe para publike, duke korruptuar pushtetarët më të lartë. Kjo është arsyeja kryesore, se pse Brukseli nuk na pranon në Bashkimin Evropian./Pamfleti