Prapaskena

Lista e zezë / Disa nga njerëzit e drogës, prostitucionit dhe korrupsionit që marrin para publike

Publikuar: 29/08/2021

Kryeministri Edi Rama deklaroi pardje se abuzimi me tendera ishte tradhtia më e madhe në Shqipëri. Rama tha se nuk do presë SPAK, por do të miratojë një ligj të posaçëm pêr të luftuar korrupsionin.

Gazetari investigativ, Adriatik Doçi, ka publikuar një listë me njerëzit e drogës, prostitucionit, krimit dhe korrupsionin që marrin tenderat nga ministrat, kryebashkiakët dhe drejtorët e emëruar nga PS.

Para se të miratojë ligje të tjera, të bëjë retotorikë dhe politikë, Edi Rama le t’u thotë të vetëve të mos ndajnë paratë publike me krimin dhe korrupsionin.

Lista

-‘Devis’ sh.p.k, kompania e Lefter Lamajt, kaluar në emër të gruas pa letra Kristinka Leka, një nga bosët e drogës dhe prostitucionit në Itali, i dënuar në vendin fqinj, sot i lirë. 13 milionë euro tendera në shëndetësi.

-‘Balili–Ko’, kompania e Klement Balilit, ‘Eskobari i Ballkanit’, sot në burg, i dënuar me 10 vite burg për trafik droge, grup kriminal, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Në letra kompania është në emrin e vëllait.

-‘Leka 2007’, me 50 % e Parlind Lekës, i dënuar për trafik droge në Itali, objek ligjit anti-mafia në Shqipëri, sekustruar pasuria etj. Kompania ka kaluar në emër të Luigj Lekës, i cili vijon të marrë tendera të dyshimtë, sidomos në Bashkinë e Lezhës.

-“Inerte Express”, kompania e Mond Begos, i njohur edhe me emrat Edmond Bego, Manoli Bega, Saimir Sina, Belul Gjahtari etj., i dënuar për trafik droge në kuadër të organizatës kriminale.

-‘M.C. CATERING’, kompania e Njazi Prençit, i dënuar për vjedhje me tenderat. Kompaninë e ka kaluar në emër të të birit, Gentjan Prençi, i cili vijon ‘traditën’.

-‘M. B Kurti’ (Sinani Trading), kompania e Shemsi Sinanit, i dënuar për korrupsion me tendera. Kompania sot është në emër të të birit, Ledion Sinani, i cili vijon…

-“Rroku Guest”, kompania e Rrok Gegës, i dënuar për skemat e mashtrimit me faturat e TVSH. Pas dënimit kaloi kompaninë në emër të gruas Vera Gega, duke vijuar avazin.

-“Sireta 2F”, i Fiqiri Palit, i dënuar për korrupsion me tendera, pas arrestimit kaloi kompaninë në emër të gruas Fatime Pali, duke vijuar avazin.

-“EURO-ALB”, kompania e Bujar Muratit, i arrestuar disa herë për korrupsion me tendera. Aktualisht në proces gjykimi. Mori në qafë e Fatos Tushen.

-“Dogel”, kompania e Elidjan Laskajt, i dënuar për korrupsion me tenderat.

-‘Nelsa’ kompania e Nexhmi Ballës, i dënuar për korrupsion me tendera, kompaninë e ka kaluar në emër të vajzës së tij Elsa Kamberi (Balla) dhe sot bën kërdinë me tendera.

-‘DAJTI PARK 2007’, e Ylber Kalasë, i dënuar për korrupsion me tendera, pas dënimit kompaninë e kalon në emër të djalit Desart Kalaja dhe 50 % të aksioneve për Lulzim Qefalinë. Kompania sot bën kërdinë me tendera me flamur të kuq.

-‘AME 2020’, kompania e Agim Kajmakut, i dënuar në Greqi, i shkarkuar si kryebashkiak i Vorës në Shqipëri, i shpallur në kërkim dhe aktualisht në proces gjyqësor. Kompaninë e ka kaluar në emër të gruas dhe vijon të marrë para publike.

Këta nuk janë të vetmit. Madje nuk janë as kryesorët.
Ligjet i kemi të mira!
Punë ka, gjithashtu edhe ‘profesionistë’!



Më të lexuarat