Prapaskena

Ekipi i ri i Bashës, Paloka në vend të Nishanit, Rushaj kreu i grupit parlamentar, rikonfirmohet Bardhi

Publikuar: 29/08/2021

Lulzim Basha ka zgjedhur ekipin e ri, i cili do votohet nesër. Bujar Nishani, një nga kritikët më të fortë të kryedemokratit Basha, ashtu siç pritej nuk do të jetë më kryetar i Këshillit Kombëtar të PD. Në vend të tij, Basha propozon Edi Palokën.

Edmond Rrushaj është propozuar për kryetar i grupit parlametar të PD-së. Këtë post më parë e ka mbajtur Paloka.

Nga ana tjetër është rikonfirmuar në detyrë Gazmned Bardhi i cili do të vijojë të jetë Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.

Për postet e nënkryetarit që nga dy që ishin Edi Paloka dhe Edmond Spaho, do të bëhen 4, mes të cilëve do të jenë edhe dy gra!

Emrat e propozuar nga Basha janë Alfred Rrushaj, Enkelejd Alibeaj, Grida Duma dhe Jorida Tabaku.

Alibeaj do të jetë edhe kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit. Edhe Jemin Gjanaj është “shpërblyer” për detyrën e tij zgjatë zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike duke u rikonfirmuar në postin e kryetarit të Komisionit Zgjedhor në PD.

Shkrimtarja Flutura Açka është kandidatura për kryetare e Komisionit të Integritetit dhe Etikës, një komisionin që është diskutuar shumë gjatë zgjedhjeve brenda PD nga kritikët e Bashës pasi nuk ishte aktiv prej kohës kur kryedemokrati mori drejtimin e partisë.

Emrat e kandidatëve që pritet të jenë pjesë e sekretariatit ekzekutive të Partisë vihen re prurje të reja si pedagogia Jonila Godole, e cila është propozuar sekretare për të Përndjekurit Politik një nga çështjet e rëndësishme për PD, Ori Nebiaj si sekretare për Organizatat Partnere apo edhe Belind Këlliçi i propozuar si sekretar për Emigracionin dhe Diasporën, i cili u zgjodh edhe deputet i PD.

Në postin e sekretarit organizativ Lulzim Basha ka propozuar Ervin Minarollin që pritet të zëvendësojë Sait Dollapin, i cili dha dorëheqjen pas humbjeve të zgjedhjeve.

Ndërsa për kandidatët për anëtar kryesie që do të jenë 15 të tillë, Basha ka zgjedhur një listë të gjatë, ku mes të cilëve vihet re edhe emri i Agron Shehaj, i cili ishte kundërshtari i tij në zgjedhjet e brenda PD për t’i marrë drejtimin e partisë.

Nga 15 anëtarët e kryesisë, 10 prej tyre do të zgjidhen burra dhe 5 do të jenë gra.

Edhe për kandidatët për drejtues të komisioneve nga PD, Basha ka vendosur emrat e njerëzve të tij të afërt dhe të besuar pa sjellë risi apo të papritura. Ditën e nesërme në orën 18:00 pritet që emrat e propozuar nga Basha të votohen në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.



Më të lexuarat