Prapaskena

Bulqizë/ Kreut të Sindikatës së Minatorëve dhe ish-kandidatit për deputet, Elton Debreshit iu vu tritol në makinë, autor vëllai i tij, arrestohet

Publikuar: 28/08/2021

Shumëkush po mendonte për kundërshtarët, apo persona të prekur nga zëri i ngritur për të drejtat e minatorëve. Por pas tritolit vendosur në makinën e sindikalistit, ish-kandidatit të pavarur për deputet, Elton Debreshi, fshihet vetë vëllai i tij.

Nga hetimet e bëra, policia ka arritur të faktojë se ishte Alfred Debreshi, 29 vjeç, personi që në orën 1 të mëngjesit të 27 gushtit, vuri një sasi të vogeël plasëse në makinën Mercedez Benz, parkuar në oborrin e banesës të vëllait, duke i shkaktuar dëme materiale nga shpërthimi.

Alfred Debreshi, me banim në Bulqizë u arrestua në flagrancë, edhe pse gjatë marrjes në pyetje për ngjarjen ka mohuar gjithçka. Grupi hetimor ka ngritur dyshime mbi deklarimet e tij, duke siguruar prova të tjera, që sipas tyre, janë të mjaftueshme për të implikuar 29-vjeçarin në krim.
Vetë kreu i sindikatës së minatorëve, që më 25 prill garoi për deputet si kandidat i pavarur, u pyet gjatë nga hetuesit, ndërsa sindikata që ai drejton e lidhi sulmin më së shumti me kërcënimet që Debreshi ka pasur për shkak të aktivizimit të tij në mbrojtje të të drejtave të minatorëve. Vetëm pak ditë më parë, Elton Debreshi fitoi me vendim gjykate 15 paga për pushim të padrejtë nga puna.

Teksa ende nuk dihet motivi përse Debreshi i vuri tritol vëllait, Prokuroria e Dibrës ka ngritur ndaj tij 3 akuza: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.



Më të lexuarat