Familjarët mësuan lajmin se Xhuljano Bullari ishte vrarë përmes kushërirës. Kjo e fundit ishte pronarja e mjetit në të cilin u gjet i pajetë 25-vjeçari në fshatin Babicë të Vlorës. Automjeti i llojit “Fiat Punto” është në pronësi të kushërirës së tij.
Në momentin e verifikimit të targave të automjetit nga ana e Policisë që shkoi në vendin e ngjarjes, pasi u lajmërua nga kalimtarë të rastit, rezultoi se i përkiste një vajze banuese në Tiranë.
Policia ka kontaktuar fillimisht me atë që rezultoi të ishte kushërira e viktimës, duke i dhënë kështu lajmin e krimit të rëndë. Ka qenë ajo që ka njoftuar familjarët, të cilët kanë shkuar në Vlorë. Ka qenë e ëma që ka identifikuar djalin e saj në morgun e spitalit të qytetit, ndërsa babai e mësoi lajmin nëpërmjet mediave pikërisht pranë Drejtorisë së Policisë së Vlorës.
Ende nka asnjë person të dyshuar në lidhje me ngjarjen. Edhe pse u shoqëruan rreth dhjetë persona, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse për hetuesit që mund të çojë në zbardhjen e së vërtetës. Dyshohet se Bullari është vrarë nga një person i cili ishte pasagjer me të. I riu mori 3 plumba, mirëpo njëri prej tyre rezultoi fatal për të.