Prapaskena

Vrasja e dhëndrit të anëtarit të bandës ‘Hakmarrjes për Drejtësi’, autorët e mbajtën në vëzhgim për 1 javë! Autori i pamaskuar

Publikuar: 24/08/2021

Lushnja u trondit mbrëmjen e djeshme nga një ekzekutim në mes të qytetin ndërkohë që rrugët ishin të populluara me njerëz.

Bledar Muça u ekzekutua duke pirë kafe me kunatin në lokalin e tij bar ‘Pedonale’. Tavolina ku ishte ulur viktima e atentatit mbrëmjen e së hënës në Lushnjë, një vend shumë i populluar darkave, ku xhama të thyer, dërrasa të shpuar nga plumba, janë pamjet që na vijnë nga vendi i ngjarjes.

E vendosur në rrugë përballë lokalit ‘Bar Pedonale’ që menaxhonte, tavolina njihej si vendi i Bledar Muçës 34 vjeç baba i dy fëmijëve të vegjël. Karriget shtoheshin sipas rastit kur i vinin shokët.

Të hënën në mbrëmje shoqërohej nga kunati i tij Judmir Velo, vëllai i gruas. Tetë gëzhoja kallashnikovi gjetën hetuesit në 2 metra katror sipërfaqe.

Muça u qëllua egërsisht nga një distancë e afërt prej 3 m. Autori që dëshmitarët e tregojnë, një i ri i pamaskuar, trup lidhur, zbriti nga Golfi 5 ngjyrë blu me targa italiane, i vjedhur në Vlorë.

Shoferi qëndroi në timon, derisa atentatori kreu misionin. Shtiu me kallashnikov më shumë se 20 herë mbi njeriun që njihej si dhëndri i Roland Shytit, “mustaqe kuqit”, anëtar i bandës famëkaqe të Lushnjës, ‘Hakmarrja për Drejtësi” sepse ishte martuar me mbesën e tij, Suada Velon.

U plagos rëndë Judmir Velo 32 vjec, nipi i Roland Shytit që ishte në rrezen e plumbave, por shpëtoi nga vdekja sepse u shtri shumë shpejt barkas në tokë.

Gjurmët e gjakut edhe mëngjesin e kësaj të marte ishin aty. Velo i plagosur pasi i ikën vrasësit, u zvarrit për disa metra deri kur urgjenca e mori dhe e dërgoi në spital.

Ervis Tafa, Sara Liçi, 24 vjeçe, Eksara Sauli 26 vjeç dhe nëna e njërës vajzë, Majlinda Gjyli u plagosën gjithashtu.  Gratë ishin ulur në një tavolinë po tek ky lokal, kurse Tafa me shokët e përbashkët të viktimës, afër tavolinës shënjestër.

Shpërndarja e plumbave ka ndodhur në një perimetër të gjerë dhe ka dëshmi që tregojnë se edhe dy persona të tjerë u dëmtuan lehtë por nuk u paraqitën në spital. Mjekët thanë se të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Rreth 18 kilometra larg nga qyteti i Lushnjës, në fshatin Thanasaj poshtë një ure, u gjet e djegur makina që dyshohet se u përdor nga autorët për vrasjen e 34-vjecarit.

Brenda tij u gjetën dhe 2 kallshnikovë. Ndërkohë, shoqërohen 2 persona si të përfshirë në vrasje, por nuk dihet ekzaktësisht roli i tyre. Mësohet se vrasësit e kanë mbajtur në vëzhgim prej 1 jave Bledar Muçën.

Nga pamjet e kamerave të disa subjekteve është zbuluar se mjeti që u përdor në atentat, ka lëvizur në Lushnje për disa ditë. Autorët dyshohet se i ka ndihmuar edhe një mjet tjetër që është fiksuar nga kamerat e sigurisë ndërkohë që policia ka sinjalizuar në pikat kufitare disa persona që nëse paraqiten duhet të ndalohen.

Në Lushnjë ndodhen hetuesit më të zot të Policisë së Shtetit.

Ata kanë siguruar dëshmi të mjaftueshme për të arritur deri tek autori, i cili besohet ishte më pagesë. Punët e drogës, kanë ngritur dyshimet më të mëdha rreth shkakut të vrasjes.

Në kohë të ndryshme ka patur denoncime për festa me drogë në lokal, por policia në nuk ka ekspozuar apo goditur një rast të tillë në “Bar Pedonale”.

Hasmëritë e vjetra për lidhjet familjare të viktimës me anëtarin e “Hakmarrja për Drejtësi” cilësuar si organizata kriminale më e madhe në vend në vitet 1992-1996, nuk janë anashkaluar nga grupi hetimor që po shfletojnë dosjet e vjetra.



Më të lexuarat