Në lokalin e quajtur “Bar Pedonale” mbrëmjen e djeshme ndodhi një atentat me armë zjarri, ku mbeti i vrarë pronari Bledar Muça dhe pesë persona të tjerë, mes tyre 2 gra mbetën të plagosur.
Në lidhje me këtë ngjarje e cila tronditi qytetin e Lushnjës ka reaguar edhe gazetarja Dorjana Bezat, e cila thotë se në lokal teksa plumbat fluturonin në ajër ndodheshin dhe shumë fëmijë, të cilët sipas Bezatit nuk kanë për ta harruar asnjëherë atë skenë.
Gazetarja shton se ditën e sotme në qytet ashtu fshehtas dhe nën zë qarkullojnë fjalë se ky atentat ndaj Muçës pritej prej kohësh për shkak të historive të vjetra dhe të reja të pambyllura.
“Ajo që ndodhi mbrëmjen e së hënës në Lushnje nuk ishte vrasje.
Vrasje është kur dikush vret dikë, paçka motiveve, rrethanave, mjeteve e detajeve të tjera. E mbrëmshmja ishte terror. Breshëri automatiku mbi dhjetra qytetarë që mëkati i tyre i vetëm ishte shëtitja mbrëmjes. “Mëkatuan” se pinin kafe në pedonale. Mësova se në lokal, kur plumbat fluturonin në ajër, kishte shumë fëmijë, të cilët jam e sigurt se kurrë nuk kanë për ta harruar atë skenë. Krisje arme, ulërima, njerëz të shtrirë në tokë dhe gjak. Fatmirësisht asnjë fëmijë nuk u lëndua. Fatin e tyre nuk e kishin dy vajzat, një grua dhe një djalë që thjesht po pinin kafe në atë lokal kur plumbat i kapën në befasi pa pasur asnjë faj dhe për pak desh u morën jetën.
Nën zë në Lushnjë flitet se një sulm ndaj viktimës së të hënës pritej për shkak të historive të vjetra e të reja që janë gërshetuar në mënyrën më të keqe në këtë qytet. Mua më trëmb ajo që do të ndodhë pas kësaj.
A do të jenë kundërshtarët aq të vetëpërmbajtur kur të përdorin armët mbi objektivat e tyre? A do ta kenë kujdesin ndaj të pafajshmëve apo do t’i quajnë dëm kolateral të parëndësishëm?”, shkruan gazetarja në postimin e saj në “Facebook”.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00. Bledar Muça, pronari i Bar Pedonales së bashku me kunatin e tij ishin ulur në një nga tavolinat e lokalit kur nga një makinë është qëlluar me breshëri automatiku.