Detaje të reja janë mësuar nga atentati që tronditi mbrëmjen e djeshme qytetin e Lushnjës, ku ndërroi jetë shtetasi Bledar Muça.
Muça u ekzekutua në ambientet e lokalit të tij me emrin “Pedonale” në qendër të qytetit, teksa ndodhej i ulur në tavolinë së bashku me kunatin e tij Judin Velo.
Gazetarja Fatmira Bajrami raporton se biznesmeni Muça njihej si një person i qetë dhe pa precedentë penalë, teksa rezulton pronar i disa bareve dhe bizneseve në qytetin e Lushnjës. Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë kunati i tij Juxhin Deda, i cil është dhe nipi Roland Shytit, personazh i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” i njohur me nofkën “Mustaqekuqi”.
Muça dhe Deda u qëlluan me breshëri automatiku nga një automjet tip Golf në lëvizje, në të cilin ndodheshin 3 persona.
Si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur dhe 4 persona të tjerë, konkretisht: Ervis Tafa; Sara Liçi, 24 vjeçe; Majlinda Gjyla, 66 vjeçe dhe Eksara Sauli, 26 vjeçe, të cilët kanë qenë ose kalimtarë ose klientë në lokalin e të ndjerit.
Bëhet me dije se si pasojë e plagëve të marra Judin Velo dhe dy persona të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Autorët e ngjarjes janë lërguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Policia ka mundur të gjejë automjetin që dyshohet se është përdorur prej tyre të djegur në afërsi të fshatit Thanasaj në Lushnjë.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje për të hetuar rrethanat e ngjarjes. Janë ngritur postblloqe dhe po kërkohet për autoret e ngjarjes.