Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e ndodhur në Lushnje, ku mbeti i vrarë Bledar Muça dhe u plagosën 3 të tjerë.
Bledar Muça, 40-vjeç, administratori i lokalit ku edhe ndodhi ngjarja, në pedonalen e qytetit, është personi i cili ka humbur jetën.
Po ashtu dyshohet edhe për 3 persona të plagosur. Ata janë Judin Velo, 32 vjeç, Ervis Tafa dhe Sara Liçi, 24 vjeçe, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Autorët dyshohet se kanë qenë 2. Njëri ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt lokalit ku ishte dhe shënjestra.
Në drejtim të lokalit është qëlluar të paktën rreth 20 herë me kallashnikov. Plumbat dyshohet se i kanë kapur rastësisht dhe 3 të plagosurit.
E gjithë kjo skenë ka ndodhur ndërsa në lokal ka pasur dhe persona të tjerë, të cilët janë tmerruar teksa po konsumonin kafe.
Muça është transportuar menjëherë drejt spitalit, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkaq, në momentin që ka ndodhur ngjarja në lokal ndodheshin edhe persona të tjerë.
“Sot rreth orës 22:00, në një lokal në pedonalen e qytetit, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasi B. M dhe kanë mbetur të plagosur shtetasit J. V., 32 vjeç, E. T dhe S. L., 24 vjeçe të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e bërë nga policia.
Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.