Agron Haxhimali, Ekspert i pushtetit vendor, ka folur mbi problematikën e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri.
Sipas ekspertit, politika qëndrore ka dështuar në sistemin e menaxhimit të mbetjeve, duke shtuar se bashkitë po bëjnë përpjekje të mëdha me kapacitetet e tyre por nuk po ja dalin dot.
“Sistemi i integruar i menaxhimit të mbetjeve urbane në Shqipëri, para dhe pas reformës territoriale , vijon të mbetet një problem i madh. Akoma nuk e kemi kuptuar mirë çfarë do të thotë menaxhim i integruar i mbetjeve. Ne vazhdojmë ende sot trajtimin, një qytetar i hedh, shkon bashkia i merr dhe i hedh ne landfill apo incenerator. Ky është mekanizmi më i rëndomtë në fakt. Qoftë politika qëndrore për menaxhimin e mbetjeve ka dështuar totalisht. Më vjen keq që bashkitë po bëjnë përpjekje të mëdha me kapacitetet e tyre por sërish nuk po ja dalin, ndaj kemi dhe ato probleme në Durrës, Shijak dhe bashkitë e tjera”, tha ai.
Sipas Haxhimalit, vendi ka nevojë për një strategji të re për menaxhimin e mbetjeve, sepse strategjia aktuale “njerëzit i thedhin mbeturinat në kosh dhe bashkia i çon në landfill apo incenerator” nuk po funksionon më as në Kandahar.
“Ligji ua ngarkon këtë përgjegjësi të plotë bashkive. Bashkitë duhet të gjejnë mekanizmat për të bërë menaxhimin e mbetjeve siç e kanë vendet e tjera. Duhet të shohim si bëjnë vendet e zhvilluara. Ka nevojë për një qasje tjetër, qoftë nga qytetari më i thjeshtë deri te pushteti. Edhe në Kandahar nuk funksionon më, merre mbeturinat nga kazani çoji në landfill. Nuk funksionon. Çështja e manaxhimit të mbetjeve është një problem kombëtar. Ky mekanizëm nuk po funksionon. Sigurisht bashkitë kanë fajet e veta, por duhet parë një strategji e re”, tha ai.