Grupi i parë i afganëve që ishte planifikuar të vinte sonte në Shqipëri, pritet të mbërrijë gjatë ditës së nesërme.
Ky variant u anullua, për shkak të zhvillimeve kaotike në Kabul, të cilat kushtëzojnë ndryshime të planeve nga ora në orë.
Pritet që do vijnë rreth 300 deri 350 persona, kryesisht gra, aktiviste të shoqërisë civile në Afganistan. Avioni që do t’i sjellë, është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku tanimë janë ngritur dhe disa tenda.
Në to, do të jetë ndalesa e parë, ku qytetarët afganë do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore, për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.
Grupi i afganëve do të strehohet në fillim në disa prej godinave të rikonstruktuara të qytetit Studenti në Tiranë, të cilat u bënë gati ditën e sotme për ta.