Prapaskena

A janë Ben Qimja, Renato Çami dhe Fatmir Kajolli treshja që merr leje ndërtimi dhe para publike nga Subashi i Fierit?! Pse ‘spërdridhet’ Petro Koçi

Publikuar: 16/08/2021

Lufta për pazare dhe ndarje të pasurive të Fierit vijon mes grupeve politike, korruptive dhe mafioze. Por klanet fshehin të vërtetat tronditëse që rrezikojnë të gjithë palët. Pse askush nuk i përgjigjet pyetjes se kush janë njerëzit që pastrojnë paratë e drogës dhe krimit në Fier me tenderat dhe lejet e Subashit?

Beteja mes klaneve politike, korruptive dhe mafioze në Fier, për pushtet, para dhe influencë ka vijuar me të njëjtën ritëm dhe egërsi edhe gjatë muajit gusht, ndërsa Partia Demokratike vazhdon të bëjë sehir si të ishte ndonjë ndërmarrje komunale.Lojën e hapi i pari Petro Koçi, përmes një postimi në Facebook, në mes të muajit korrik, ku i bëri thirrje SPAK-ut që të zbarkojë në Fier për të çliruar bashkinë nga grupet kriminale, të cilët po pastrojnë paratë e pista përmes tenderave dhe lejeve të ndërtimit që marrin me dorën e Armando Subashit dhe çetës që e rrethon në bashki.

Kur qëndrimi i Koçit ‘ndezi’ rrjetin për disa minuta, deputeti u tremb dhe tentoi ta fshinte postimin ose të paktën ta zbuste, por ishte shumë vonë dhe ky veprim do ta komprometonte rëndë.

SPAK thirri Petro Koçin për të dëshmuar. Deputeti dhe kryetari i PS-së në Fier u paraqit në SPAK në 26 korrik. Pas dëshmisë, Koçi tentoi të devijonte akuzat e tij, duke përfshirë edhe LSI dhe PD. Është plotësisht e vërtetë se PD dhe LSI janë dy koka të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri, se njerëzit e tyre kanë ende duart në buxhetin e shtetit, që po gëzojnë pa u ndëshkuar partitë e vjedhura etj. Por, nuk ka dyshime se drejtorët dhe kryebashkiakët e PS-së janë koka e korrupsionit mbi PD-LSI.

Disa ditë më pas, Petro Koçi, i cili është një nga përfaqësuesit e klanit kryesor për pushtet në Fier, bëri një diversion, përmes një frëngjie mediatike, ku tha se SPAK kishte zbarkuar në zyrat e Bashkisë së Fierit, duke nënkuptuar se po sekuestronte dosjet e korrupsionit të Armando Subashit.

Këtij diversioni iu përgjigj vetë Subashi, i cili tha se “Në asnjë moment, në deklaratat e deputetit Koçi nuk bëhet asnjë insinuate për Bashkinë. SPAK nuk ka qenë në Bashkinë e Fierit. Ky është një lajm i rremë”.

Tre ditë më parë, Petro Koçi, bëri një tjetër reagim, tashmë më të zbutur dhe gjoja parimor, por që në fakt tregon se ende nuk ka një ujdi mes klaneve për ndarjen e plaçkës në Fier.

Njëri klan, i përfaqësuar nga kryetari i PS në Fier Petro Koçi dhe ish-kryebashkiaku Baftjar Zeqaj, të lidhur me grupe biznesesh, e sheh veten jashtë pushtetit. Fieri kontrollohet aktualisht nga klani tjetër që përfaqësohet nga kryebashkiaku Armando Subashi, Ervin Bushi, disa deputetë dhe grupe të fuqishme interesash. Është një luftë qartësisht për vjedhje. Kjo luftë është një provë e madhe për SPAK, për të ndërhyrë me energji, për të goditur grabitqarët në të gjithë krahët.

Krahas sulmeve që tregojnë mosmarrëveshje, klanet po bëjnë kujdes, duke mos thënë disa të vërteta, të cilat do të fundosnin të gjitha palët. Ka shumë gjasa që këto të vërteta nuk i ka thënë as Petro Koçi në SPAK. Mediat, gjithashtu, nuk janë investuar, për t’u thelluar mbi njerëzit konkretë që pastrojnë paratë e krimit në bashkëpunim me Bashkinë e Fierit, që marrin buxhet dhe pronat publike, në mënyrë të paligjshme dhe klienteliste.

Nëse Petro Koçi do të kishte këllçe dhe kurajo për ta çuar deri në fund këtë denoncim, duhet të fliste për emrat konkretë që sipas tij ‘pastrojnë paratë e drogës me tenderat dhe lejet e ndërtimit të Bashkisë Fier’.

Marrim tre të parët; Arben Isufaj (Ben Qimja), Renato Çami dhe Fatmir Kajolli, të skeduar dhe me dosje për trafik droge, organizatë kriminale, pengmarrje, vrasje etj.

A u ka dhënë Armando Subashi leje ndërtimi, tendera, licenca dhe prona publike drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë treshes së parë?!

Kjo është çështja. Ligji ndalon organet publike që t’u japin para buxhetore apo çdo favor tjetër njerëzve të krimit dhe drogës. Nëse Subashi u ka dhënë leje dhe tendera, duhet të shkojë menjëherë në burg. Dhe në fakt jo vetëm Subashi duhet të shkojë në burg, por edhe paratë dhe pronat publike të kaluara në dorë të kapove të drogës, duke të sekuestrohen dhe t’i kthehen shtetit. Letrat janë aty dhe nuk mund të zhduken. Në vijim dosja e plotë!/Pamfleti



Më të lexuarat