Prapaskena

Delta po infekton me shpejtësi në Shqipëri. Çfarë masash duhet të merren sipas ekspertëve?

Publikuar: 15/08/2021

Shqipëria gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 410 raste të reja, dy humbje jete, një në moshë të re duke duke treguar se varianti Delta po qarkullon me shpejtësi. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me koronavirus në vend ka shkuar në 2453.

Frika e të gjithëve është a po shkojmë drejt një vale të katërt?

Mjeku shqiptar në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar në Londër Laidon Shapo, shpjegon për Gazetasi.al se nëse katër-fishimi i numrit të rasteve të reja me Covid-19 brenda disa ditësh është i besueshëm, bazuar në një sasi të përafërt testesh ditore (pa artefakte ne mes), i bie që rritja të ketë ndodhur si pasoje e rritjes së ndjeshme të infeksioneve javën e fundit.

“Ne mungesë të të dhënave korrente atje mendoj që rastet duhet të jenë në rritje prej disa javësh, kjo duke marrë parasysh faktin që rastet janë shkaktuar nga varianti Delta, i cili është 50-60% me i transmetueshëm se varianti i Kentit ose Alpha dhe që ka hyre atje të paktën një muaj para se të vinte përgjigja e sekuencat gjenetik,” shpjegon Shapo.

Varianti Delta ka pak kohë që është konfirmuar në vend po kjo nuk e ka ndaluar që të jetë dominant në popullatë. Disa ditë më parë Shefja e Laboratorit të Virologjisë në ISHP, Iris Hasibra tha për Gazetasi.al se shumica e rasteve të konfirmuara ishin me këtë variant.

Duke nisur nga këto fakte, Shapo thotë se masat që duhen ndërmarrë për të ndaluar transmetueshmërinë janë:

-rritje të numri te testimeve sidomos në grup moshat e reja.

-të vazhdohet me ritme të shpejta vaksinimi me dy doza tek grup moshat e prekura (18 -29) dhe grupe risku.

-të shihet mundësia e një doze të tretë kujtesë (booster) në shtator sidomos për të vaksinuarit në Shkurt-Mars.

-të vijohet me mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura dhe tu kërkohet pasaporta vaksinore dhe një test PCR negativ i ditëve të fundit para hyrjes në Shqipëri gjithë turisteve që vijnë atje për pushime.

“Gjendja do ndjekur nga afër në kohë reale pasi ka ende të panjohura në lidhje me përqindjet reale të popullatës me imunitet natyror dhe vaksinor, sa zgjat ai dhe si vepron Delta për të prekur ato grupe që nuk janë vaksinuar, janë me një dozë dhe kanë probleme shëndetësore apo të përgjigjes imunitare,” shton Shapo.

Përveç transmetueshmërisë së lartë që ka ky variant, ai ndryshon nga varianti klasik i koronavirusit sepse nuk ka humbje të nuhatjes dhe të shijes.



Më të lexuarat