Prapaskena

Basha dhe Rama “PRO” Amerikës! Ilir Meta asnjë fjalë për ardhjen e afganëve në Shqipëri

Publikuar: 15/08/2021

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi në lidhje me ardhjen e afganëve në vendin tonë, ku thekon se kemi detyrime ndaj NATO-s.

Kryedemokrati përmes një postimi në rrjetin social Twitter shkruan se Shqipëria nga të drejtat që zotëron lindin dhe detyrimet dhe përgjegjësitë për të qëndruar pranë SHBA-së.

Ndër të tjera ai deklaron se empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë.

“Si anëtare e NATO-s, Shqipëria gëzon të drejta dhe detyrime. Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan. Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse e kemi bërë më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë tona. Empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë,shkruan Basha.

Edhe kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me lajmin e bërë publik nga agjensia Reuters se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në bisedime me Shqipërinë për strehimin e përkthyesve afganë.

Kryeministri shprehet se një kërkesë e tillë për strehimin e afganëve nuk ka ardhur ende nga ShBA-të, por thekson se Shqipëria është e gatshme të strehohjë pjesën e saj në raport dhe me aleatët e NATO-s.

“Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me Zakon, e as me Moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje. Ne nuk jemi të pasur, por s’jemi as pa kujtesë, as pa zakone, as pa moral dhe është në nderin tonë t’u gjendemi të tjerëve, siç të tjerë na janë gjendur ne, po sidomos të mos u kthejmë kurrizin hallexhinjve të huaj, siç shpesh na e kthyen ne dikur, kur ishim të huaj hallexhinj”, shkruan mes të tjerash Rama.

Ndërkohë presidenti i vendit Ilir Meta nuk ka patur asnjë reagim në lidhje me këtë kërkesë të ardhur nga Shtete e Bashkuara të Amerikës. Në postimin e fundit, ka përkujtuar një vjetorin e ndarjes nga jeta të politikanit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferit.

Meta shprehet se urtësia, vizioni largpamës, këshillat e çmuara dhe trashëgimia e vyer intelektuale, kulturore dhe politike e tij, do të na shërbejë gjithmonë si frymëzim për progres.

Nuk dihet ende pse nuk ka patur asnjë reagim të presidentit Meta në lidhje me këtë situatë e cila është lajm i parë në të gjitha mediat botërore.



Më të lexuarat