Disa ditë më parë Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetrit tentuar arratisjen nga burgu 313. Ata dështuan në finalzimin e këtij plani, pasi u ndaluan nga një prej gardistëve, i cili pati guximin të përballet me dy burgosurit.
Punonjësi Myfit Xhekës me detyrë specialist informacioni në burgun 313, i cili mbeti i plagosur gjatë tentativës për arratisje të Arbër Lekajt dhe Fatmir Pjetrit. Ai madje në dëshminë e tij është shprehur se Pjetri e kishte kërcënuar atë.
“Nuk e harroj kurrë fytyrën tënde, mbaje mend çdo të bëjë ty dhe familjes tënde”, i thënë Pjetri policit. Jeta e tij apo e familjarëve të tij mund të jetë e kërcënuar. Por si veprohet në këto raste kur gardianët në punën e tyre të përditshme bien pre e kërcënimeve nga të burgosurit.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka miratuar më 30 korrik të këtij viti një udhëzim të posaccëm në lidhje me “Për përcaktimin e rasteve, kushteve dhe mbrojtjes së veçantë në situata emergjente të punonjësve të policisë së burgjeve dhe drejtuesve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale”.
Kjo mbrojtje e veccantë e gardianit dhe e familjarëve realizohet menjëherë pasi vetë punonjësi i burgjeve paraqet kërkesë me shkrim mbi faktin se ka marrë kërcënime dhe atij ose familjarëve mund t’i rrezikohet jeta.
“Ministri i Drejtësisë vendos mbi sigurimin ose jo të mbrojtjes së veçantë menjëherë dhe, në çdo rast, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga marrja e kërkesës. Urdhri i ministrit për sigurimin e mbrojtjes së veçantë i njoftohet menjëherë drejtorit të Policisë së Burgjeve, i cili siguron zbatimin e tij nga struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve”, thuhet në udhëzimin e siguruar nga Gazeta Shqip.
Më tej përcaktohet se “Masat mbrojtëse vendosen me afat deri në 3 (tre) muaj dhe me të drejtë shtyrjeje afati jo më shumë se 1 (një) muaj. Kohëzgjatja e masave mbrojtëse vazhdon deri në largimin e kushteve dhe të rrethanave për të cilat është vendosur mbrojtja”, raporton Gazeta Shqip.
Udhëzimi i plotë
1. Punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe drejtuesit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale (këtu e në vijim “kërkuesi”), të cilëve për shkak të detyrës që kryejnë ose kanë kryer u rrezikohet jeta, familja apo prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, kanë të drejtë t’u sigurohet mbrojtje e veçantë fizike nga Policia e Shtetit. Në situata emergjente, kur për shkak të natyrës dhe kompleksitetit të çështjes, është i pamundur garantimi i mbrojtjes nga Policia e Shtetit, ofrohet mbrojtje e veçantë nga struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve, sipas rregullave dhe kushteve të përcaktuara në këtë udhëzim.
2. Në rastet kur punonjësi i Policisë së Burgjeve apo drejtuesi i institucionit ndodhen përballë një rreziku dhe situate emergjente a komplekse për veten e tyre, familjen ose pasurinë, për shkak të detyrës që mbajnë apo që kanë kryer, i paraqet menjëherë kërkesë me shkrim ministrit të Drejtësisë.
3. Kërkesa drejtuar ministrit të Drejtësisë përmban gjeneralitetet e personit që i kanoset një rrezik apo, kur është rasti, të dhënat e pasurisë, institucionin ku personi punon, arsyet e rrezikut, rrethanat, llojin e rrezikut, si dhe kushtet e emergjencës apo të kompleksitetit të çështjes.
4. Konsiderohen si raste emergjence apo çështje komplekse, rastet kur:
a) punonjësi ndodhet në një situatë rreziku që mund të dëmtojë atë, familjen apo pasurinë në një kohë relativisht të shkurtër, e cila nuk mund të presë për mbrojtjen e ofruar nga Policia e Shtetit.
b) punonjësi ndodhet në një gjendje kërcënimi konkrete dhe serioze, për shkak të së cilës, jeta, shëndeti, familja apo pasuria e tij mund të cenohen.
c) punonjësi ndodhet në një situatë që kërkon ndërmarrjen e veprimeve apo të masave menjëherë dhe pa vonesë për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi.
5. Ministri i Drejtësisë vendos mbi sigurimin ose jo të mbrojtjes së veçantë menjëherë dhe, në çdo rast, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga marrja e kërkesës. Urdhri i ministrit për sigurimin e mbrojtjes së veçantë i njoftohet menjëherë drejtorit të Policisë së Burgjeve, i cili siguron zbatimin e tij nga struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve.
6. Urdhri i ministrit të Drejtësisë, kur vendos pranimin e kërkesës, përveç elementeve të përcaktuara në nenet 99 dhe 100 të Kodit të Procedurës Administrative, përmban edhe:
a) urdhërimin për sigurimin e mbrojtjes së veçantë të kërkuesit;
b) kohëzgjatjen e masës mbrojtëse;
c) periudhën e raportimit për gjendjen e kërcënimit;
ç) kontrollin periodik të kushteve që diktojnë mbrojtjen;
d) strukturën që ekzekuton masën mbrojtëse.
7. Kur diktohet nga natyra e çështjes, Ministria e Drejtësisë e përcjell urdhrin elektronikisht pranë drejtorit të Policisë së Burgjeve apo strukturës së posaçme në Policinë e Burgjeve.
8. Në rastet kur ministri i Drejtësisë vendos kërkuesin në mbrojtje të veçantë, kërkuesi i dorëzon ministrit të Drejtësisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e urdhrit për vendosjen në mbrojtje të veçantë, dokumentacion shtesë, me qëllim verifikimin e rrezikut që i kanoset dhe situatën e emergjencës apo të kompleksitetit të çështjes. Ministri i Drejtësisë mund të kërkojë informacion edhe kryesisht.
9. Kërkuesi mund të paraqesë dëshmi, deklarime, akte procedurale apo informacione të dokumentuara, të cilat provojnë kushtet e nevojës për mbrojtje.
10. Sipas rastit, ministri i Drejtësisë vendos, brenda 10 (dhjetë) ditëve, ndryshimin, revokimin apo përfundimin e masës mbrojtëse.
11. Kundër urdhrit të ministrit të Drejtësisë për mospranim të kërkesës për mbrojtje të veçantë, si dhe kundër urdhrit për ndryshimin apo revokimit, kërkuesi mund të paraqesë ankim në gjykatën kompetente, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Administrative, si dhe legjislacionit në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
12. Kur ministri i Drejtësisë urdhëron mbrojtjen e veçantë, struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve kryen verifikimin e dokumentacionit identifikues dhe vendos menjëherë nën mbrojtje punonjësin e Policisë së Burgjeve, drejtuesin e institucionit, familjen apo pasurinë e tij.
13. Mbrojtja e veçantë konsiston, në:
a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të personit të rrezikuar;
b) ruajtjen e familjarëve, banesës apo pasurisë së personit të rrezikuar.
14. Masat mbrojtëse vendosen me afat deri në 3 (tre) muaj dhe me të drejtë shtyrjeje afati jo më shumë se 1 (një) muaj. Kohëzgjatja e masave mbrojtëse vazhdon deri në largimin e kushteve dhe të rrethanave për të cilat është vendosur mbrojtja.
15. Struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve është përgjegjëse për marrjen e masave për ekzekutimin e urdhrit të ministrit të Drejtësisë, mbi ruajtjen fizike apo edhe masa të tjera, sipas përcaktimeve të bëra në urdhër.
16. Përveç detyrave të përcaktuara në procedurat standarde të Policisë së Burgjeve, struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve, ka për detyrë:
a) të informojë me shkrim çdo 2 (dy) javë ose më shpesh, si rrethanat e rastit e diktojnë, mbi ecurinë e masave mbrojtëse për personin e rrezikuar. Ky informacion i përcillet drejtorit të Policisë së Burgjeve dhe ministrit të Drejtësisë;
b) të njoftojë strukturat eprore për rastet e situatave të rrezikut emergjent, për personin e mbrojtur, që mund të lindin gjatë shërbimit ditor;
c) në rastet kur personi i mbrojtur, krijon vështirësi apo pamundëson garantimin e mbrojtjes nga struktura e posaçme, njofton menjëherë me shkrim drejtorin e Policisë së Burgjeve dhe ministrin e Drejtësisë.
17. Krahas marrjes së masave mbrojtëse, punonjësit e strukturës së posaçme të Policisë së Burgjeve bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale, në drejtim të personit të mbrojtur, familjes, banesës apo pasurisë së tij.
18. Në rastet kur personi i kërcënuar punon në një rreth apo qark dhe familja e tij banon në një tjetër, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes dhe në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.
19. Strukturat e posaçme të Policisë së Burgjeve, për zbatimin e masave urgjente mbrojtëse, hartojnë plane masash të veçanta mbi gjendjen e rrezikut dhe eliminimin e tij.
20. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij udhëzimi.