Pak e dinë që një pjesë e vogël, por thelbësore për funksionimin e telefonave, kompjuterave dhe pajisjeve të tjera teknologjike prodhohet thuajse e gjitha nga një kompani e vetme me bazë në Tajvan.
“Taiwan Semiconductor Manufacturing Co” është kompania thuajse e vetme prodhuese e qarqeve të integruara të pajisjeve elektronike, të njohura gjerësisht si “Chip”. Produktet e saj janë kudo, që nga iPhone, te kompjuterat dhe makinat. TSMC vendos vulën e saj për porositësit e mëdhenj, si Apple dhe Qualcomm.
Fuqizimi i saj ka bërë që të ketë një ndikim të madh në ekonominë globale, me një vlerë tregu që kap rreth 550 miliardë dollarë e rendit atë si kompania e 11 më me vlerë në botë.
Por, dominimi i saj në treg e lë botën në një pozicion vulnerabël. Në një kohë që kërkesa për Chip-e po rritet gjithnjë e më shumë, konkurrenca për prodhimin e tyre mbetet e njëjta. Kjo e vendos ekonominë globale në një risk të shtuar, duke pasur parasysh përplasjen e vazhdueshme mes ishullit dhe Kinës, që kërkon ta ribashkojë atë me pjesën e shtetit komunist kontinental.
Analistët thonë se në një skenar të mundshëm kur Kina shtrin juridiksionin e saj mbi Tajvanin automatikisht do të ketë në dorë edhe një aset të fuqishëm për ndikimin global, chip-et e kompanisë TSMC. Sipas ekspertëve në kushtet aktuale është shumë e vështirë për kompanitë e tjera që ta konkurrojnë kompaninë tajvaneze në këtë sektor, për shkak të kostove dhe investimeve që duhen ndërmarrë në burime njerëzore dhe materiale.
Për disa ekspertë, situata është e ngjashme me varësinë e ekonomisë globale nga nafta e Lindjes së Mesme. Sa herë që një vend prodhues kryesor i naftës në këtë rajon preket nga trazirat, apo kriza të formave të tjera, çmimi i naftës pëson rritje dhe bashkë me të ngadalëson rritjen ekonomike globale. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Chip-et në të ardhmen.
Në Tajvan prodhohen 65 për qind e chip-eve që përdoren në rang global dhe sipas TrendForce, një kompani kërkimore tajvaneze, TSMC ka 56 për qind të prodhimit të përgjithshëm të chip-eve në Tajvan.
Agjencia Capital Economics thotë se varësia ndaj chip-eve tajvaneze është një kërcënim për ekonominë globale, por nuk sheh ndonjë mënyrë shkëputjeje nga kjo varësi në një kohë të afërt për shkak të teknologjisë së avancuar të kompanive tajvaneze.
“Teknologjia e tyre është aq e avancuar sa vetëm TSMC prodhon aktualisht 92 për qinsd të të gjitha chip-eve të sofistikuara që kanë transistorë me sa një e njëqindta e trashësisë së qimes së flokut. Pjesa tjetër prej 8 për qind prodhohet nga Samsung Electronics”, thotë Capital Economics.
Veç chip-eve të sofistikuara, TSMC zë edhe rreth 60 për qind të tregut në prodhimin e atyre më pak të sofistikuar për llogari të prodhuesve të makinave, që po bëhen gjithnjë e më shumë të automatizuara.
Por, vetë kompania tajvaneze mohon se ekonomia globale është shumë e varur prej saj dhe i cilëson këto pretendime si ta pabazuara dhe të tepruara.
SHBA, Europa dhe Kina po përpiqen që të shkëpusin varësinë e madhe që kanë nga chip-et tajvaneze. SHBA udhëheq në rang global për dizejnimin e tyre, me kompanitë gjigante si Intel, NVidia dhe Qualcomm, por tani në vend prodhon vetëm 12 për qind të tyre nga 37 për qind që prodhonte në fund të viteve ’90. Pjesa tjetër “shtegton” si porosi për t’u prodhuar në Tajvan.