Prapaskena

Mungesa e punëtorëve në tregun fason, kreu i shoqatës: Nevojë për mbi 10 mijë punonjës, do i marrim nga jashtë! Pagat në vendin tonë, më të larta se në Rajon

Publikuar: 24/07/2021

Sektori i fasonerisë në vendin tonë duket se po përballet me mungesë të theksuar të krahut të punës. Për Edvin Prençen, kreun e shoqatës së fasonëve, shkak për këtë mungesë është largimi i shqiptarëve jashtë vendit.

Në një lidhje me Skype për ‘Report Tv’, Prençe u shpreh se në Shqipëri, punëtorët në fasoneri paguhen më shumë se sa në vendet e Rajonit, duke sjellë si shembull Malin e Zi dhe Maqedoninë, ku tha se pagat atje janë deri në 240 euro, ndërsa në vendin tonë ata paguhen mesatarisht 33 mijë lekë.

“Situata aktuale është në përmirësim, ka rritje të kërkesave për prodhimet tona me rreth 20% në krahasim me vitin e kaluar, urojmë që ky trend të jetë në rritje. Problematika kryesore që ne po hasim është ajo e fuqisë punëtore, duke patur parasysh që gjithë sektorit tonë i mungojnë mbi 10 mijë punonjës, jo përkthehet dhe në mungesë të prodhimit dhe nuk mund t’i përgjigjemi dot klientëve tanë. Shumë biznese po i drejtohen vendeve të treta, për të patur mundësi thithjen e punonjësve. Kjo mungesë vjen për shkak se shumë njerëz në vendin tonë kanë emigruar, fuqia punëtore ka shkuar në Europë. Në lidhje me pagat, mesatarsihst janë shumë të larta krahasuar me vendet e Ballkanit, apo në Bullgari ku një punëtor në fasoneri merr rreth 240 euro apo Maqedonia me 240. Nuk mund të quhet më që Shqipëria është vend i pëlqyeshëm për krahun e lirë të punës, nuk është problematika e pagës pasi një mesatare varion në 32-33 mijë lekë në muaj paga në sektorin tonë”, tha ai.

I pyetur për mënyrën se si trajtohen punëtorët në bizneset fason, Prençe u shpreh se mund të ketë raste sporadike që nuk plotësojnë kushtet e punës, por shtoi se pothuajse të gjithë bizneset i trajtojnë në mënyrën e duhur punonjësit. Ai theksoi se 90% e këtyre bizneseve kanë audit të jashtëm që bëjnë verifikimin e trajtimit të punonjësve dhe pagave.

“Mund të ketë vende sporadike që nuk plotësojnë kushtet e punës, por pothuajse të gjitha i plotësojnë, abuzimi është një shprehje që ka ngelur. 90% e këtyre bizneseve kanë audit të jashtëm që bëjnë verifikim për trajtimit të punonjësve dhe pagave. Në shumicën e bizneseve, transporti është i garantuar. Sa i takon sigurimeve, nuk i përket sektorit tonë, pasi duke qenë një sektor eksportues, deklarimet janë 100% dhe nuk është as në interes të biznesit mos t’i deklarojë”, shtoi ai.

Për të plotësuar mungesën e krahut të punës, Prençe u shpreh se tashmë disa biznese kanë marrë punonjës nga Bangladeshi, duke theksuar se në shtator do të rriten kërkesat për të marrë më shumë punonjës nga jashtë.

“Disa biznese në sektorin tonë kanë marrë punonjës nga Bangladesh dhe nga muaj shtator mendojmë se do të ketë një shtim të kërkesave për prurjen e këtyre punonjësve”, theksoi Prençe.



Më të lexuarat