Alba Exotic Fruit’ kapet serish me kokainë në Portin e Durrësit. 6.5 kg të tjera kokainë i janë kapur nga kontejnerët që vijnë me banane nga amerikane latine. “Alba Exotic fruit” është kompania që kishte porositur sasinë e bananeve nga Ekuadori, në kontejnerin e së cilës u gjet 11 kg e 650 gram kokainë 10 ditë më parë.
Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘histori’ me trafik droge, ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. Kjo kompani është me seli në Kombinat, Tiranë, dhe operon në treg që nga viti 2011, ndërsa pronarë të saj janë Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni.
Për kapjen e 11 kg e 650 gramëve 10 ditë më parë Barjon Gumeni është lënë në burg më 16 korrik nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, ndërkohë që Prokuroria e Durrësit shpalli moskometencë për çështjen. Gumeni nuk ka pranuar akuzat, duke mohuar përfshirjen e tij në trafikun e drogës, ndërsa ka thënë se nuk ka patur dijeni për sasinë e kokainës që u gjet në kontejner. Ai është edhe aksioner në kompani, ku zotëron 10% të aksioneve, ndërsa 90% janë në zotërim të Eduart Dautit, i cili është shpallur në kërkim.
Në detajet e operacionit të sotëm, Policia e Durrësit bën me dije se aksioni u krye në vijim të operacioni policor të koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike. Sipas uniformave blu Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’ , ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Në port ka pasur 10 kontejnerë për të tërhequr kompania dhe askush nuk ka shkuar. Policia i ka kontrolluar të dhjetë dhe në 2 prej tyre është gjetur kokaina, në një rast 11.650 kg dhe në rastin e dytë 6.5 kg.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.