Prapaskena

Çfarë është “Pegasus” programi që spiunon koka shteti, gazetarë e aktivistë! Si ta kuptoni që po përgjoheni

Publikuar: 20/07/2021

Një program i avancuar i quajtur Pegasus prej vitit 2016 përdoret në mbarë botën për të infiltruar telefonat smart, dhe është aktualisht një nga pajisjet më të sofistikuara për të nxjerrë informacion nga telefonat.

I zhvilluar nga firma izraelite “NSO Group”, e njohur edhe si “Q Cyber ​​Technologies”, ky program mund të përdoret për regjistrimin e telefonatave, kopjimin apo dërgimin e mesazheve, regjistrimin përmes kameras së telefonit si në pajisjet Android dhe iOS.

Për versionet e para të këtij programi nevojitej që viktima të klikonte një link, çka do të shkaktonte instalimin në heshtje të programit në telefon dhe më pas mund të përgjonte telefonata, mesazhe, e-maile dhe password-et.

Programi Pegasus ka aftësinë ta kthejë telefonin në një pajisje përgjuese pa pushim, falë aftësisë për të mos u diktuar nga antiviruset si dhe opsionit që mund të fiket dhe të ndizet në heshtje dhe nga distanca.

Ekspertët thonë se pas instalimit, Pegasus e lidh pajisjen me ato që njihen si “Command and Control Servers (C2s)” që janë kompjutera që dërgojnë dhe marrin informacion në këto pajisje, raporton newsbomb.al.

Pegasus është i dizajnuar të konsumojë minimumin e internetit si dhe të dërgojë përditësime të herëpashershme në serverat C2s.

Por ekspertët ngrenë alarmin për versionet më të avancuara të Pegasus, që përdorin metodën “zero-click”, çka mundëson sulmimin apo survejimin e një pajisjeje, pa qenë nevoja që viktima të klikojë në ndonjë link për ta aktivizuar.

Vitin e kaluar u zbulua se 36 gazetarë, producentë dhe personalitete të “Al Jazeera” ishin nën përgjim me këtë metodë.

Për të identifikuar pajisjet e Apple të prekura nga Pegasus, Amnesty International analizoi të dhënat e proceseve të ekzekutuara nga pajisja dhe përdorimin e tyre përkatës në “DataUsage.sqlite” dhe “netusage.sqlite”, dy skedarë të bazës së të dhënave të ruajtura në pajisjet iOS.

Ndërsa e para mund të gjendet në “back-up”-in e iTunes, e dyta nuk mund të gjendet.

Analiza forenzike e kryer nga Amnesty International gjeti se telefonat e prekur nga Pegasus përmbanin regjistra të një procesi të dyshimtë të lidhur me shfrytëzimin e “internet broëser” që “përgatitet për infektimin e telefonit me versionin e plotë të Pegasus”.

Në një raport, Amnesty ka renditur 45 nga këto procese të dyshimta, 28 nga të cilat janë të ndryshme nga ato të ekspozuara nga The Citizen Lab.

Gruas së një gazetari të vrarë meksikan, iu dërgua një mesazh me një link ku mund të klikonte që telefoni i saj të infektohej me “Pegasus”.

Mbi 1,400 telefona janë targetuar nga Pegasus përmes aplikacionit WhatsApp duke shfrytëzuar një dobësi në kod, çka kompania mëmë Facebook tha se kishte arritur më pas ta rregullonte.

Megjithatë ekspertët thonë se “kanalet” që përdoren për të instaluar Pegasus në telefon, jo të gjitha janë të njohura, ndaj kompanive u duhet më tepër kohë t’i zbulojnë dhe më pas ti rregullojnë.

Pak ditë më parë, falë një bashkëpunimi të gazetarëve nga disa medie prestigjoze në botë, u publikua skandali se përmes programit Pegasus survejohen mijëra njerëz në mbarë botën, përfshi gazetarë, politikanë dhe aktivistë.



Më të lexuarat