Pelegrinët myslimanë të vaksinuar kundër Covid-19, janë mbledhur të dielën për pelegrinazhin vjetor të Haxhit në Arabinë Saudite, e cila ua ka ndaluar besimtarëve të huaj për të dytin vit me radhë që të marrin pjesë në këtë ceremoni, për shkak të pandemisë.
Të veshur me të bardha, 60,000 shtetas sauditë dhe banorë të këtij vendi, kanë nisur kryerjen e riteve, të cilat i ka obligim t’i kryejë një herë në jetë secili mysliman që mund ta përballojë financiarisht udhëtimin.
Më 2019, pjesë e Haxhit kanë qenë 2.5 milionë pelegrinë. “I lutem Zotit për t’i dhënë fund Covid-19, na ka frikësuar shumë dhe e ka bërë situatën shumë të vështirë”, ka thënë pelegrini palestinez, Hassan Jabari për Reuters.
Arabia Saudite, që vitin e kaluar ka lejuar vetëm disa mijëra persona që ta kryejnë Haxhin, është shtëpi e vendeve më të shenjta të Islamit, Mekës dhe Medinës.