Prapaskena

Nikoll Lesi: Koalicioni PD-LSI ka vdekur, po ringjallet pazari PS-LSI

Publikuar: 18/07/2021

Gazeta “Koha Jonë” me botues Nikoll Lesin në një kryeartikull të sajin, shkruan se koalicioni PD-LSI ka vdekur, ndërsa po ringjallet pazari PS-LSI.

Në artikull thuhet se para datës 25 prill kishte festë të madhe në PD dhe LSI, ku PD-ja thoshte se do merrte diku te 65 mandate deputeti, kurse LSI 30 mandate deputeti.

“Edi Rama kishte paralajmëruar me zë e figurë se PS-ja do të kishte 73-74 mandate, kurse LSI 4 mandate!

Për dreq, i doli fjala, Ramës!

Tashmë realiteti mbetet ky që është, PD dhe LSI në opozitë edhe 4 vite. Dhe nëse referohemi deputetit të zgjedhur të PD-së, Mark Marku, duket se pas 8 viteve mund të ketë shanse opozita të rikthehet në pushtet.

A do ta fitojë pushtetin kjo Opozitë apo një opozitë e re që do krijohet, akoma nuk është e qartë!

Momentalisht koalicioni PD-LSI ka vdekur. Por nën rrogoz duket se po rikthehet “dashuria e vjetër” e interesave të pushtetit mes LSI dhe PS.

LSI ka interesin e Presidentit të mos preket. Dhe ka të drejtë, pasi mbetet “prijesi shpirtëror”.

Por edhe PS-ja, nëse Gjykata Kushtetuese vendos për zgjedhje të reja vendore (ku gjasat janë se kështu do jetë) ka interes që ta përçajë opozitën e bashkuar.

Nëse LSI kandidon e vetme (dhe kështu do bëjë) në çdo bashki, atëhere matematikisht pothuaj çdo bashki e rimerr PS-ja si dikur me 30 qershor 2019. Edhe për këshillat bashkiak (parlamentet lokalë) LSI ka forca gjeneruese dhe merr këshilltarë, aqsa nuk e bën vetëm PS-ja shumicën prej 51 % në këshillat bashkiak

Në zgjedhjet vendore, ku ka interesa për poste, mobilizohet krejt fisi e jo më LSI! Ndaj Edi Rama, edhe pa e takuar LSI-në, e përdor kundër PD-së.

Dhe fitojnë të dyja palët; edhe PS, por edhe LSI!”, thuhet ndër të tjera në artikull.



Më të lexuarat