Prapaskena

Kuvendi Kombëtar i PD/ Shehaj refuzon të flasë! Marku: PD të ndryshohet ose mbetemi dhe 4 vite të tjera në opozitë! Basha ikën para fjalimit të tij, Kadilli: Uroj të mos jetë larguar se kishte orarin e gjumit

Publikuar: 17/07/2021

Në Kuvendin Kombëtar të PD-së, besnikët e Lulzim Bashës konfirmuan besnikërinë e tyre edhe në fjalimet e mbajtura ditën e sotme, ku njësoj si kryetari, edhe ato ishin të mendimit se zgjedhjet e 25 prillit u vodhën. Mirëpo, mes falenderimeve dhe lëvdatave për kryetarin, nuk munguan edhe zërat kritik, ndonëse më pak në numër se “besnikët”.

Zëri më kritik ishte deputeti i zgjedhur në Lezhë, Mark Marku i cili theksoi se PD-ja duhet të ndryshojë, pasi në të kundërtën rrezikon që të mbetet në opozitë edhe për 4 vitet e ardhshme, e ndërsa nuk i ka kursyer kritikat as për analizën e humbjes dhe as për propozimet e Bashës, të miratuara sot, për statutin. Sa i përket analizës së humbjes, Marku tha se ajo është hartuar nga një nga përgjegjësit kryesor të humbjes, siç është Gazment Bardhi, e ndërsa sa i përket ndryshimeve në statut të propozuara nga Basha, deputeti tha se “janë propozime që në thelb s’kanë kurrfarë relevante për gjendjen ku ndodhemi”.

Nga ana tjetër, kritik ka qenë edhe drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj mori përgjegjësinë e mosarritjes së rezultatit maksimal në qarkun e tij, por në analizën e tij tha se ka pasur kandidatë që kanë bërë fushatë individuale që ndikuan negativisht. Një nga kritikët më të ashpër të Bashës, Bujar Nishani zgjodhi ta bojkotonte këtë Kuvend Kombëtar, njëjtë edhe Agron Shehaj. Ky i fundit, ishte i pranishëm në sallën e Pallatit të Kongreseve, por refuzoi të merrte fjalën. Edhe Tomor Alizoti tha se “fjalimet e gjata që po mbanin kolegëve të tij i ngjajnë ato të partive të punës” e që sipas tij nuk mund të sjellin ndryshimin.Teksa Nishani dhe Shehaj nuk foli, Kadilli mbajti fjalimin e tij në foltore, por edhe kësaj herë nuk e pati vëmendjen e Bashës në atë se çfarë ai thoshte, kjo sepse kryedemokrati u largua pak para se ai të merrte fjalën. Ky veprim nuk kaloi pa një koment ironik nga ana e Kadillit që tha se “uronte që të mos kishte pasur nevojë për gjumë”.



Më të lexuarat