Dy punonjës të policisë së Beratit janë kallëzuar nga mësuesi i fshatit Lumas në Kuçovë, pasi pretendohet se gjatë momentin të shoqërimit dhe vendosjes së prangave, policët i kanë thyer dorën.
Resul Sulanaku, me profesion mësues në fshatin Lumas, ka dhënë kallëzimin e tij përpara oficerit Grigor Prifti, duke i treguar se dy efektivë të policisë, të cilët ai nuk i ka njohur me emra, por me numrin personal të uniformës së tij, kanë dashur ta shoqërojnë në ambientet e policisë së Beratit.
Gjatë shoqërimit, e kanë kapur me forcë dhe vendosur prangat, dhe si pasojë e forcës së vazhdueshme që kanë ushtruar rezulton se i kanë thyer kockën e dorës.
“…unë aktualisht dorën e kam në allçi. Unë jam munduar të gjej dy numrat e atyre dy policëve, të cilët më kanë shtrënguar prangat duke me krisur kockën dhe ato janë me Nr. 1377 dhe Nr. 1707 por dua të theksoj se këta dy punonjës morën urdhër nga Dashamir Bendo, të cilin e dëgjova vetë që ju tha prangoseni…” – ka treguar në kallëzimin e tij mësuesi i fshatit Resul Sulanaku.
Sipas këtij të fundit ngjarja ka ndodhur, pasi në fshatin e tij po kryhen punime për ndërtimin e një ujësjellësi, të cilin e bën Bashkia Kuçovë.