Tashmë nuk ka më asnjë surprizë se SPAK-u tregohet shumë “tolerant” me hetimet, kur të dyshuarit kryesorë janë ministra apo zyrtarë të lartë të qeverisë “Rama” dhe Partisë Socialiste.
Rasti më i fundit, kur SPAK shmangu nga hetimi ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të atij institucioni, Plarent Ndreca, nga hetimi i tenderit skandaloz 25 milionë euro për uniformat e policisë, nuk është i vetmi.
Historia e shkurtër, por intensive e SPAK-ut, tregon se prokurorët specialë, të paktën deri më tani, nuk kanë arritur të dëshmojnë se janë në lartësinë e pritshmërisë së opinionit publik për të arritur me hetimet e tyre tek zyrtarët e lartë.
Dhe rastet janë të shumta.
Më poshtë janë disa prej çështjeve më domethënëse, për të cilat Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit ka zgjedhur të qëndrojë pasive para zyrtarëve të lartë dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit Edi Rama.
1.Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Ogerta Manastirliu, ka qenë në qendër të kritikave dhe akuzave për “tenderat sekretë” dhe “tenderat pa garë”, me vlera miliona euro, të zhvilluara gjatë periudhës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.
Media dhe Partia Demokratike në opozitë kanë publikuar raste skandaloze dhe kanë denoncuar në SPAK tendera të dyshuar si abuzivë dhe në shkelje të legjislacionit penal.
Prokuroria Speciale, e cila mori paraprakisht në shqyrtim disa raste të tillë, hoqi dorë prej hetimit, duke i kaluar për kompetencë në prokurorinë lokale të Tiranës, duke shmangur nga përgjegjësia penale zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë edhe vetë ministren Manastirliu.
2.Ilir Beqja, ish-Ministër i Shëndetësisë
Duke mbetur në Sektorin e Shëndetësisë, SPAK ka zgjedhur të qëndrojë tërësisht pasiv ndaj kallëzimeve të dorëzuara në zyrat e tij për katër kontratat koncensionare, që lidhen me shërbimin e Check-UP; Hemodializës; Sterilizimit dhe Laboratorëve.
Për këtë kontrata ka pasur akuza të forta, të shndërruara edhe në kallëzime formale, për shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre, deri edhe tek korrupsioni.
Në qendër të këtyre kallëzimeve ka qenë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
SPAK nuk duket se ka ndërmend të merret me Beqajn dhe historinë e tij të koncensioneve në Shëndetësi.
Olta Xhaçka, Ministre e Jashtme
Në Mars 2020, kur kryediplomatja aktuale e qeverisë, Olta Xhaçka, mbante postin e Ministrit të Brendshëm, ky institucion realizoi një prej tenderave më skandalozë të periudhës së pandemisë.
Një kompani me qendër në Maqedoni dhe që kishte aktivitet lojërat e fatit dhe ndërtimin, fitoi një tender pa garë, me vlere 1.5 milionë euro me Tvsh, për furnizimin me ushqim të familjes së ushtarakëve të angazhuar në luftën me “armikun e padukshëm”, Covid-19.
Procedura u mor në shqyrtim nga SPAK, pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, e cila nga ana e saj iu referua një raportimi investigativ të “Boldneës.al”.
Në përfundim të hetimeve, prokurorët specialë konkluduan se përgjegjës për abuzimin me këtë tender ishin disa zyrtarë të nivelit të ulët të Ministrisë, duke e “amnistuar” Xhaçkën, e cila më pas u gradua në postin e Ministrit të Jashtëm.
Damian Gjiknuri, ish-ministër i Infrastrukturës
Damian Gjiknuri, ish-ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, u konsiderua një prej zyrtarëve kryesorë përgjegjës të tenderit skandaloz, me vlerë 20 milionë euro për kilometër, për rikonstruksionin e Unazës së Re në Tiranë.
Një kompani, e cila falsifikoi dokumentat amerikane, arriti të fitojë tenderin e majmë, dukshëm e favorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe ministria e Gjiknurit.
Por, ky hetim u ndoq nga Prokuroria e Tiranës, vetëm për një djalosh 26-vjeçar, Avdjol Dobi, emri i të cilit rezultonte fiktivisht si administrator i kompanisë fituese “DH-Albania”.
Ndërkohë, SPAK nuk arriti të gjente guximin për të hetuar zyrtarë të lartë, në kompetencë të saj, përfshirë edhe ish-ministrin dhe aktualisht deputetin socialist, Damian Gjiknuri.
Kjo çështje “u varros” penalisht, megjithëse, siç mund të thuhet nga partnerët ndërkombëtarë, cënoi jo vetëm ndihmën e qytetarëve amerikanë për Shqipërinë, por edhe emrin e kompanive amerikane.
Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Nisma “Thurrje” kanë qenë në unison, kur, secila më vete, i është drejtuar SPAK-ut me kallëzime penale për të hetuar atë që konsiderohet si “afera e inceneratorëve”.
Qeveria shqiptare, në periudhën 2014-2017, nënshkroi kontrata koncensionare për ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve, me kompani, të cilat ka dyshime se janë të lidhura të gjitha me njëra-tjetrën.
Procedura për miratimin e këtyre kontratave u bazua në “ofertat e pakërkuara” të kompanive përfituese dhe pritet t’u kushtojë shqiptarëve mbi 300 milionë euro.
Kallëzuesit kërkojnë nga SPAK që të identifikojë shkeljet penale dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore Arben Ahmetajn, i cili ka mbajtur postin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë në kohën kur janë hartuar dhe miratuar kontratat koncensionare.
Prej më shumë se një viti, këto kallëzime qëndrojnë në SPAK, ndërkohë që nuk ka asnjë të dhënë publike nëse prokurorët janë vënë në lëvizje ose jo.
6. Lefter Koka, Erion Veliaj, Alqi Bllako
Këta personazhe, dy deputetë të zgjedhur dhe njëri kryetari i Bashkisë së Tiranës, kanë rolet e tyre të dorës së parë në “aferën e inceneratorëve”, sipas kallëzimeve të dorëzuara prej më shumë se një viti në SPAK.
Njëlloj si me Ahmetajn, edhe për Lefter Kokën, Erion Veliajn e Alqi Bllakon, nga prokurorët e SPAK-ut nuk dallohen asnjë erë ndryshimi.
7.Deputetët e “Dibrës”
SPAK-u e nisi punën e tij me këmbë të gabuar, kur, që në ditët e para të funksionimit, vendosi të heqë nga duart një prej patateve më të nxehta politiko-penale, atë që quhej “dosja e Dibrës”.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputetët Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Damian Gjiknuri, por edhe vetë kreu i tyre, Edi Rama, u kapën mat në përgjime, duke folur për “vjedhjen e votave” në zgjedhjet lokale të Dibrës, në vitin 2016.
Kjo ishte një prej atyre dosjeve hetimore, të cilat realisht mund t’i kishin dhënë një drejtim pozitiv demokracisë dhe drejtësisë në Shqipëri.
Por, prokurorët e SPAK-ut e humbën shansin e mirë. Ata zgjodhën që, nëpërmjet manovrave proceduriale, t’ia përcillnin dosjen voluminoze prokurorisë së Dibrës, duke ia zhdukur të gjithë peshën dhe rëndësinë e saj.
8.Vangjush Dako, ish-kryebashkiak i Durrësit
Vangjush Dako, i vetëkonsideruar si “supermen”, ish-kryetar i Bashkisë së Durrësit, u kap mat në përgjimet dosjes “339”, duke bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale për të blerë dhe tjetërsuar vota në favor të Partisë Socialiste, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Ndërkohë që një pjesë e të hetuarve të kësaj dosje tashmë janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe, madje, edhe po përfundojnë dënimin, për Vangjush Dakon nga SPAK-u mësohet se “është ende nën hetim”.
Për pak kohë, përfundojnë afatet hetimore dhe Dako, me shumë mundësi, do të dalë i larë nga kjo dosje, për shkak të “detajeve proceduriale”.
9.Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm
Në fillim ishin kushërinjtë e tij, Habilaj, të cilët u arrestuan në Itali për trafik narkotikësh, pasi kishin marrë më parë lejen ‘e transportit” nga shefat e lartë policorë të Saimir Tahirit, kur ai ishte Ministër i Brendshëm.
Së fundmi, dy bodigardët e tij më të afërt janë shpallur në kërkim si organizatorë të një tjetër rrjeti trafiku narkotikësh nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Ndërkohë, për Saimir Tahirin vijojnë të zvarriten procedurat gjyqësore, i akuzuar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda e Donika Prelës, e sot nga SPAK-u, për “shpërdorim detyre”.
SPAK-u nuk ka arritur të gjejë ndonjë provë që të lidhë Tahirin me trafikun e narkotikëve, pavarësisht se shumë të dhëna krijojnë dyshime se ish-ministri i Brendshëm kishte dijeni për tonelatat e kanabisit, por jo vetëm, që qarkullonin në “linjë e rregullt” Vlorë-Otranto dhe Durrës-Bari.