Prapaskena

Rafaeli dhe Musaeni nuk janë më, ikën, i “vramë” ne

Publikuar: 09/07/2021

Muaji qershor dhe fillimi i muajit korrik kanë qenë tronditës për ne. Në qershor u regjistruan një mori vrasjesh dhe aksidentesh. Një familje prej katër anëtarësh u shua në rrugën kombëtare Fier-Vlorë, pasi një i ri me një makinë luksoze në vlerën e 100 mijëve euro i mori para me 160 kilometra në orë, kjo sipas ekspertizës së policisë.

Një ditë më pas ndodhi një masakër, lufta për zotërim shezllonësh dhe territoresh mes të fortësh në Velipojë shkaktoi 4 viktima, ku mbetën të vdekur pronarët e dy hoteleve dhe mes tyre një i ri, një kamarier.

Musaeni, një djalë 20-vjeçar i cili sapo kishte mbaruar mbrëmjen e maturës nisi punën me qëllim për të ndihmuar ekonomikisht familjen e tij. Musaeni ishte duke u shërbyer të fortëve, të cilët mbi tavolonë kishin hapur hartën dhe po i caktonin vetes pjesën që iu takonte në bregdet me armë nën brez.

I gjendur mes të breshërive të armëve, plumbat kapin edhe Musaenin që po shërbente me tabaka në duar, fatkeqi u gjend në kohën dhe në vendin e gabuar. Kjo ngjarje na tronditi të gjithëve dhe na bëri të mendohemi se sa pak po na vlen jeta në vendin tonë dhe sa keq ndihemi kur shkruajmë për këto tragjedi.

Por fatilitetet nuk u ndalën me kaq, dy ditë më parë një ngjarja e rëndë u regjistrua. Një 23-vjeçar humbi jetën tragjikisht në punë, pasi teksa po rregullonte gomën e një kamioni, ajo ka shpërthyer e për pasojë humbi jetën.

Teksa ka shkuar ta rregullojë gomën, ajo ka shpërthyer duke e hedhur disa metra tej djaloshin dhe përplasur me bordurat mbrojtëse të rrugës. Rafael Tafaj, prej dy vitesh punonte në gomisteri, teksa ishte banues në zonën e ish-Kënetës, jo shumë larg vendit ku ndodhi edhe ngjarja.

Një ngjarje e tillë ngre alarmin për mungesën e kushteve të sigurisë në punë, ku fatkeqësisht se rrjedhojë e mos zbatimit të rregullave më minimale, një djalë humbet jetën në moshë shumë të re, teksa po punonte për të siguruar të ardhura.

Musaenin dhe Rafaelin nuk i njihte askush. Por ata mund të ishim unë dhe ti, apo vëllai yt. Mund te ishte secili që shkon në punë me dëshirën e madh për të punuar dhe për të sjellë lekë në familje. Musaeni dhe Rafaeli janë dëshmia dhe akuza ndaj kujtdo qe mund ta ndalte këto ngjarje dhe nuk i parandaloi dot.

Ky është një realitet i dhimbshëm që mund të përballemi çdo ditë, në një vend si i yni ku zyrtari hajdut cilësohet se është më i zoti dhe afti, sepse ka vjedhur më shumë se paraardhësi i tij. Musaeni dhe Rafaeli nga të gjithë ne ju ishit më të mirë, sepse na treguat se puna ta bën shtyllën kurrizore dhe më të fortë. Prehuni në paqe vëllezër!



Më të lexuarat