Komisioneri Publik i ka kërkuar sot Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimit nga detyra të kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila është bërë javët e fundit objekt polemikash, duke sjellë edhe një reagim të fortë të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Komisioneri ka pranuar rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorinit të Vetingut, duke i kërkuar KPA-së të rrëzojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi në detyrë Imerajn përmes një procesi të dyshimtë dhe duke mbuluar faktet kundër saj. OMN-ja përbëhet nga prokurorë dhe gjyqtarë të njohur nga SHBA dhe BE.
Në dokumentin e ankimimit thuhet se “Nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës, aneksit të Kushtetutës,
konsiderojmë se, ndryshe nga sa ka disponuar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, referuar gjendjes së fakteve dhe provave në rastin konkret, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e saj në detyrë;
Mbështetur në parashikimin e nenit F, pikat 3 dhe 7 të aneksit të Kushtetutës, nenit 66
të ligjit nr. 84/2016, kërkojmë që shkaqet e parashtruara në këtë ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pas vlerësimit tërësor të procedurave, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë:
-Ndryshimin e vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj”.
OMN-ja përbëhet nga prokurorë dhe gjyqtarë të njohur nga SHBA dhe BE.
Vëzhguesit ndërkombëtarë dorëzuan disa ditë më parë një amendim të rekomandimit të tyre të mëparshëm për apelim për shkarkimi nga detyra të kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj pasi morën dokumente gjyqësore italiane për të vërtetuar se dy persona të dënuar në Itali në vitin 2002 për organizim prostitucioni dhe trafik qeniesh njerëzore janë me të vërtetë ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i prokurores.
Imeraj bëri një ndarje fiktive nga bashkëshorti, me shpresën se do dilte e pastër në Veting. Dhe deri diku i eci. Pasi kaloi shkallën e parë.
ONM konstatoi se Imeraj dhe bashkëshorti i saj jetonin në një shtëpi dhe se ndarja ishte një mashtrim.
Ndërkombëtarët vërejtën se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit “dështoi të verifikojë kontaktet e mundshme të subjektit dhe dy personave të dënuar në Romë”.
Imeraj deklaroi se ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i saj kanë kartelë penale të pastër.
Rasti i Imerajt u bë çështje ndërkombëtare më 22 qershor kur ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe ajo e Bashkimit Evropian publikuan deklarata mbështetëse për rekomandimin për apelim të vëzhguesve.
Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit me bazë në Bruksel publikoi një deklaratë më vete në emër të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, ku e cilëson se rasti i Imerajt ka rëndësi “për të siguruar integritetin, pavarësinë dhe tërësinë e procesit të vetingut”.
Kjo çështje nuk u pasqyrua nga mediat, për shkak të ndërhyrjeve të Elisabeta Imerajt dhe njerëzve të saj, të cilët nuk duan që të informohet publiku për çdo lajm që nuk i inteteson asaj.
Mediat nuk pasqyruan as akuzat e forta të vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs për shantazh dhe ndërhyrje.
Për këtë skandal reagoi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila i dha një mesazh vetë Elisabetaj Imerajt, por edhe mediave. Yuri Kim tha se raportimi për vetingun e Imerajt është një provë për mediat.
Në prill të këtij viti, Lulzim Basha e quajti kryeprokuroren e Tiranës ikonë të krimit dhe korripsionit. “Kur e denoncova këtë, kërcitën telefonatat, dhe prapë asnjë media nuk e mbulonte këtë. Kryeprokurorja e Tiranës është ikonë e korrupsionit dhe krimit”, tha Basha.
I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë edhe reagimi i kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila i dha një mesazh Bashës, teksa tha se kriminelët nuk mund t’i bënin presion, se kreu i opozitës ishte ikonë e shpëtimit nga veprimi i drejtësisë me procedurë dhe se kishte dosje në prokurorinë që ajo drejton.
Gjatë procesit të Vetingut, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs e akuzoi kryeprokuroren e Tiranës Elisabeta Imerajn për përgjime të paligjshme, shantazhim të anëtarëve të KPK-së, përpjekje të organizuar për ndikim të paligjshëm në proces dhe se kishte vënë njerëz që të ndiqnin dhe të fotografonin kolegun e tij Hans Kijlstra, duke synuar të siguronte fakte kompromentuese ndaj tij.
Hans Kijlstra tashmë është larguar nga ONM. Imeraj i mohoi akuzat, por ndërhyrjet e saj fuqishme tek mediat nuk lënë shumë vend për dyshime.