Në orët e para të ditës së sotme ka nisur ekzekutimi i mega-operacionit të përbashkët të koduar ‘Shpirti’ mes policisë shqiptare dhe anti-mafias italiane, ku në pranga kanë përfunduar 38 persona, të cilët akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash e trafik ndërkombëtar të sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike. Arrestimet janë kryer në Shqipëri, Mal i Zi, Spanjë e Itali.
Mes të arrestuarve janë dhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota, Ilirjan Balla, shef i trafiqeve në Drejtorinë e policisë së Tiranës, Festim Lelaj, i arrestuar dhe i dënuar më parë, të cilët menjëherë pas arrestimit janë dërguar në Tiranë në ambientet e Drejtorisë së Policisë.
Ndër ta ka qenë edhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i arrestuar në vitin 2017 për veprën penale të ‘trafikimit të narkotikëve’ në episodin e 2.5 tonëve kanabis, për të cilin vetëm pak javë më parë, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 17 vite burg, por do të përfitojë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në videon e publikuar nga ‘Fax News’ shihet se Lelaj çalon, pasi ai është lënduar në këmbë, teksa tentoi të hidhej nga kati i dytë i banesës ku strehohej, në momentin kur SPAK shkoi ta arrestonte.