Fundi politik i Sali Berishës dhe Ilir Metës, mbështetja e SPAK për shkallmimin e perandorisë së korrupsionit në Shqipëri, mbrojtja e investimeve të huaja nga fenomeni Gjin Gjoni-Monika Kryemadhi, stërvitja e ushtrisë amerikanë në Shqipëri dhe ruajtja e stabilitetit në vend nga lëvizjet e fundit dëshpëruese të binomit Berisha-Meta, janë çështjet që kanë sjellë zbarkimin në Tiranë të Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip Reeker.
Zyrtari i lartë amerikan takoi fillimisht Edi Ramën, duke i përcjell detaje nga plani i presidentit Joe Biden për goditjen e korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit në Shqipëri. Rama doli zvedhur nga takimi pasi korrupsioni dhe krimi në Shqipëri udhëhiqen nga ministrat dhe drejtorët e tij, disa prej të cilëve në listën e zezë.
Menjëherë pas takimit me Ramën, Philip Reeker zbarkoi në selinë blu, ku e priste Lulzim Basha.
Në fokus të diskutimit ishte vendimi i Departamentit Amerikan i Shtetit për të futur Sali Berishën dhe familjen e tij në listën e zezë për korrupsion madhor, përdorimin e pushtetit për të pasuruar veten dhe Ilir Metën, pengimin e drejtësisë për të mbrojtur familjen dhe Ilir Metën si dhe për minimin e demokracisë në Shqipëri.
Kur SHBA i dhanë goditjen Berishës në 19 maj 2021, Berisha detyroi Bashën të bënte një deklaratë kundër SHBA dhe në mbrojtje të tij. Basha kërkoi prova për vendimin e shoalljes së Berishës non grata.
Në takimin në selinë blu, zyrtari i lartë amerikan e ka njohur Bashën me disa nga provat tronditëse të dosjes së Berishës. Burime nga të pranishmit në takim, bëjnë me dije se kur Philip T. Reeker fliste për shpalljen e Berishës në listën e zezë, Basha vetëm tundte kokën në shenjë pohimi.
Që Basha të mos gënjente Berishën më pas për përmbajtjen e takimit, Ambasada Amerikane publikoi një deklaratë rreth diskutimeve.
Ndër të tjera në deklaratë thuhet se Philip Reeker “nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”.
Neni 7031(c) i Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet është pikërisht referenca ligjore e cituar nga DASH në deklaratën e shpalljes non grata të Sali Berishës dhe familjes së tij.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Tiranë, Philip Reeker, ishte një mesazh edhe për fatin politik të Ilir Metës.
Philip Reeker përjashtoi nga axhenda e takimeve Ilir Metën, i cili sulmoi SHBA si dhe i shpalli zgjedhjet e 25 prillit 2021 një referendum kundër SHBA-BE dhe reformës në drejtësi. Zyrtari amerikan gjeti kohë që të takonte stërmbesën e Ahmet Zogut, kritiken e Bashës, Edith Harxhi etj., ndërsa shmangu Metën, i cili vijon të mbajë postin e Presidentit. Shmangia dhe izolimi i Metës nga politika amerikane vjen në kohë kur në Gjykatën Kushtetuese ka një dosje për shkarkimin e tij.
Një nga akuzat kryesore për të cilën kërkohet shkarkimi i Metës është cënimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA, për shkak të sulmeve të papracedenta kundër ambasadores Yuri Kim dhe politikës amerikane, sulme të cilat lidhen me agazhimin e SHBA për hartimin, miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi.
Në rrethet politike dhe diplomatike diskutohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin vendimin e Kushtetueses për shkarkimin e Ilir Metës, për ta shpallur zyrtarisht non grata, siç operuan me aleatin e tij, Sali Berishën. Vendimi pritet të shpallet në shtator të këtij viti. / Pamfleti