Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu është kallëzuar penalisht në prokurori, nga tre efektiv të policisë së shtetit, me pretendimin se i ka penguar të ushtrojnë detyrën. Sipas burimeve ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën turistike të Shëngjinit, jashtë ambienteve të një hoteli në vijën e parë të bregdetit.
Rreth orës 11:00 të mbrëmjes patrulla e policisë ka konstatuar se gjenerohej muzike me volum të lartë tek hoteli në fjalë në kundërshtim të aktit normativ nr.23 të datës 26.05.2021, që e ndalon një veprimtari të tillë. Në këto kushte punonjësit e policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit, por kanë hasur në kundërshtinë e pronarit të subjektit.
Përballë rezistencës, në ndihmë të patrullës së Shëngjinit ka shkuar forca e posaçme “Shqiponja” të cilët në debat e sipër kanë tentuar të shoqërojnë në komisariat pronarin e hotelit, por referuar kallëzimit penal në ato momente ka dalë nga lokali kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i penguar që të ushtrojnë detyrën me pretendimin se ligjin e bënte ai.Menjëherë pas përfundimit të shërbimit efektivet e policisë i janë drejtuar prokurorisë së Lezhës, duke dëshmuar atë çfarë ju kishte ndodhur dhe kallëzuar penalisht kryebashkiakun Ndreu dhe pronarin e hotelit.
Por çuditërisht një ditë më pas, ndaj dy efektiveve të patrullës së Shëngjinit ka nisur hetim disiplinor nga eproret e tyre për “Shkelje e rëndë e atributeve e kompetencave të policisë”, me argumentin se në subjektin ku po gjenerohej muzikë në shkelje të ligjit, po zhvillohej një aktivitet i Bashkisë Lezhë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të huaj dhe se efektivet e policisë ishin telefonuar nga shefi i komisariatit Nik Nikolli që të largoheshin nga aty.
Ndërkohë menjëherë pas kallëzimit penal organi i akuzës është vënë në lëvizje dhe pritet të nisin hetimet në lidhje me rastin. Në një reagim në rrjetet sociale, Ndreu thotë se kallëzimi penal është bërë nga policë barkderra, që kapërcejnë kompetencat dhe kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin. Duke kërkuar ndjesë për tejkalimin e orarit, Ndreu shton se gjoba ishte korrekte por jo veprimet e dhunshme të policisë.