Prapaskena

Vdekja e familjes Gushi në aksidentin tragjik të Vlorës, reagon Meta

Publikuar: 25/06/2021

Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në facebook në lidhje me vdekjen e familjes Gushi në aksidentin tragjik të Levan-Vlorë mëngjesin e sotëm.

Meta teksa i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve së të ndjerëve, apelon ndaj qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Postimi i plotë: Kam përcjellë me trishtim shumë të thellë lajmin e rëndë të humbjes së familjes Gushi në një aksident tragjik në aksin rrugor Fier-Vlorë.

I bashkohem dhembjes së të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!

Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur sot të gjithëve.

Duke kërkuar një hetim të plotë, i apeloj Policisë Rrugore dhe çdo strukture tjetër përgjegjëse, të marrin të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi, sidomos në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të udhëtojnë me shumë kujdes! Shpejtësia vret!

Kujtojmë se aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 08:20 të mëngjesit të sotëm në afërsi të fshatit Panaja në vendin e quajtur ‘Kripa’.

Mjeti luksoz tip ‘Audi’ i cili po lëvizte me shpejtësi tepër të lartë në drejtim të Vlorës, ka goditur nga mbrapa një automjet tip Toyota me targa greke, në të cilin po udhëtonin 4 anëtare të një familjeje.

Goditja e fortë ka bërë daljen e mjetit ‘Toyota’ nga rruga dhe vdekjen e anëtarëve të familjes Gushi nga Patosi.

Personat që ndërruan jetë janë Eduart Gushi, 44 vjeç, bashkëshortja e tij Silvana Gushi, 33 vjeçe, si dhe fëmijët e mitur Anastasia Gushi, 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe. Ndërkohë të plagosur por jashtë rrezikut për jetën mbetën shtetasit Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi, të cilët po udhëtonin me mjetin tip ‘Audi’.



Më të lexuarat