Prapaskena

SPAK përfundon hetimet për Talo Çelën, zbërthehet Klevis Alla: Hyri lek i madh në grup ndaj nisën përplasjet. Vëllezërit Haxhia i nxora unë në pritë, i vrau…

Publikuar: 16/06/2021

Spak ka mbyllur hetimet për të shumëkërkuarin Talo Çela dhe grupin e tij kriminal, të cilët akuzohen për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës dhe për një sërë veprash të tjera kriminale.

Vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia ndodhi më 27 prill të vitit 2020, te tregu i makinave, në qytetin bregdetar të Durrësit. Krim të cilin prokurorët e SPAK arritën ta zbardhnin përmes deklarimeve të të penduarit të drejtësisë Klevis Alla.

Alla në dosjen e SPAK thekson se ka qenë ai i cili i ka nxjerrë në prit vëllezërit Haxhia duke i marrë në telefon për t’i dhënë lekët e një borxhi. Sipas tij takimi u la te tregu i makinave, ku Talo Çela dhe Nuredin Dumani i ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në makinën e tyre në lëvizje e sipër.

“Besmir Haxhinë e nxora unë në pritë. I telefonova dhe i thashë hajde të të jap lekët e borxhit. E lamë të shiheshim te tregu i makinave. Kur pashë makinën e tij e parakalova. Atë moment Talo Çela dhe Nuredin Dumani, qëlluan me breshëri. Sulmi zgjati 3 minuta. Ne nuk e dinim që në makinë me të ishte edhe vëllai tjetër Viktori. Për vrasjen e Dorian Shkozës, dua të them se Talon e informoja unë për lëvizjet e tij. Vrasjen e Dorianit mendoj e ka bërë Besmir Haxhia dhe Talo, nisur nga karakteristikat trupore. Shofer s’e di kush ka qenë”.

Talo Çela e Nuredin Dumani si dhe Altin Ndocit akuzohen zyrtarisht nga prokuroria për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia dhe mbi ta rëndojnë akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, dhe armëmbajtje pa leje.

Klevis Alla Alla rrëfyer përpara prokurorëve edhe motivin e ekzekutimit të vëllezërve Haxhia, si dhe nisjen e konflikteve mes pjestarëve të grupit të Talo Çelës

“Pas ngjarjes në Rinas, filloi përçarja e grupit të Talo Çelës, Dorian Shkozës, Altin Ndocit e Besmir Haxhisë. Përçarja filloi pasi hyri në lojë lek i madh nga vjedhja e Rinasit”, përfundoi i penduari.



Më të lexuarat