Prapaskena

Riformatimi i ‘hartës gjyqësore’ në Shqipëri përplas KLGJ-në me Ministrinë e Drejtësisë! ‘Qeveria’ e gjyqësorit: Nga 34 gjykata të mbeten 15, vetëm një Apeli! Ekzekutivi po na pengon

Publikuar: 08/06/2021

Arsen Rusta

Reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut kanë krijuar problematika të theksuara në shumë prej gjykatave të vendit, disa prej të cilave mund të kenë mbetur edhe me 1 gjyqtar e disa të tjera funksionojnë me vështirësi.

Kjo ka bërë që në KLGJ të propozohet një riorganizim i gjykatave në Shqipëri. Nga ‘Poli i Lirisë’ propozohet që nga 34 gjykata të mbeten vetëm 15! Vetëm një gjykatë Apeli. Në një përgjigje ekskluzive për Report Tv, pas kërkesës për informacion, KLGJ bën me dije se propozon që nga 22 Gjykata Rrethesh, 6 Administrative dhe 6 Gjykata Apeli që janë aktualisht të mbeten 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm, 2 Administrative dhe 1 Gjykatë Apeli.

Me porosi te Kryetares se KLGj-se, Znj. Llagami lutemi te gjeni informacionin e kerkuar ne lidhje me harten e re gjyqesore, sikurse eshte deklaruar edhe ne Rapotin mbi gjendjen e sistemit gjyqesor dhe veprimtarise se Keshillit te Larte Gjyqesor per vitin 2020.

Këshilli, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka hartuar një projekt për Hartën e re Gjyqësore e cila është produkt i një procesi të gjatë dhe intensiv konsultimesh mes një sërë aktorësh, përfshirë këtu Ministrinë e Drejtësisë, ekspertët e sistemit gjyqësor dhe grupet e interesit. Sipas kritereve dhe metodologjisë së dakordësuar nga grupi ndërinstitucional i punës, Këshilli ka propozuar: që nga 22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, 6 gjykatat administrative të shkallës së parë dhe 6 gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe 2 gjykata administrative në shkallë të parë, dhe 1 gjykatë apeli.

Raporti i finalizuar për hartën gjyqësore është një punë shumë voluminoze, përpilimi i të cilit ka kërkuar hulumtim dhe një punë teknike të specializuar, të cilën Këshilli e ka kryer me shumë impenjim dhe përgjegjësi, si institucioni kompetent për administrimin e sistemit gjyqësorë në Republikën e Shqipërisë, duke u bazuar gjithmonë në parimet e pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe të efiçencës. Në momentin kur ligji kërkon një bashkërendim të punës për hartën gjyqësore me Ministrinë e Drejtësisë, gjë të cilën Këshilli e ka zbatuar në përpikëri, është kërkuar i njëjti vlerësim edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Kjo pasi harta e re gjyqësore është çelësi dhe një proces shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë, për të zhbllokuar kështu situatën aktuale në të cilën ndodhen gjykatat e të gjitha shkallëve në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë kuptim, Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së efeciencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve, si dhe minimizimit të kostove dhe pasojave të rivlerësimit kalimtar. Ndërkohë, nga bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë evidentohet se kjo e fundit nuk ka pasur të njëjtën qasje sikurse Këshilli, duke shkaktuar zvarritje të procesit. Zvarritje kjo e cila ka pasur një ndikim negativ për sistemin gjyqësor.

Aktualisht, produkti konkret nga grupi i punës, i cili propozon konfigurimin e ri gjeografik të gjykatave, i është vënë në dispozicion zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë, si palë bashkë-propozuese, në datë 29.9.2020.



Më të lexuarat