Prapaskena

KLGJ merr vendimin, pezullohet nga detyra gjyqtarja e ‘Tik-Tok’ Enkeleda Kapedani

Publikuar: 07/06/2021

Këshilli i Lartë Gjyqësor të hënën vendosi pezullimin e magjistrates Enkeleda Kapedani, deri në përfundim të hetimit disiplinor të nisur ndaj saj, për shkak të publikimit të videove në rrjetin social TikTok.

Pas publikimit të këtyre videove në rrjetin social Tik Tok, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kërkoi për të pezullim dhe shkarkim nga detyra e magjistrates për shkelje disiplinore.

Videot e publikuara nga gjyqtarja në zyrë apo në ambiente të tjera janë konsideruar si të papërshtatshme.

Kreu i ILD, Artur Metani, e ka cilësuar aktin e gjyqtares diskreditim të figurës së magjistratit, ndaj edhe ka shfrytëzuar për herë të parë mekanizmin ligjor të pezullimit të një magjistrati ndërsa ndodhet në hetim disiplinor.
Gjatë raportimit në ILD, Kapedani ka kërkuar ndjesë publike, por thotë se publikimi i videove është bërë me qëllim për ta dëmtuar atë.

Enkeleda Kapedani e konsideron veten “kokë turku”, ndërsa është përlotur para KLGJ-së që sikurse thotë, disa persona donin të arrini qëllimet e tyre përmes saj. Por gjyqtarja Kapedani nuk ka përmendur se cilët janë këta persona, për të cilët thotë se duan ta dëmtojnë.

Vetë gjyqtarja mohoi ekzistencën e profilit të saj në Tik Tok. Ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka kërkuar kryerjen e një hetimi pauror për të.

Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 Shtator 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.



Më të lexuarat