Prapaskena

Detajet shokuese/ Shkodrani e vrau motrën për 4 mijë euro sapo ajo u kthye nga Gjermania, mbajti trupin në shtëpi

Publikuar: 07/06/2021

Detaje të reja janë mësuar nga krimi në familje që tronditi Shkodrën mbrëmjen e kaluar.

Ngjarja ka ndodhur që të premten, por u raportua vetëm mbrëmjen e së dielës me viktimën që qëndronte prej tri ditësh në banesë. Mësohet Fabian Vukaj, 55-vjeç e ka qëlluar të motrën me armë me silenciator dhe kjo është arsyeja pse askush nga fqinjët nuk ka dëgjuar asgjë dhe viktima kishte prej tre ditësh e vdekur në banesë.

55-vjeçari Fabian Vukaj jetonte i vetëm pasi nuk ishte i martuar dhe ishte edhe i papunë, herë pas here luante edhe bixhoz. Ka qenë pikërisht motra e tij Diana Vukaj e cila është nënshtetase gjermane dhe për çdo muaj i ka dërguar të vëllait 300 euro për ta ndihmuar.

58-vjeçarja kishte rreth 7 ditë që ishte kthyer nga Gjermania. Ajo kishte bërë një porosi prej 4 mijë eurosh përmes një mikeshe, për mobilimin e një shtëpie pushimi që vëlla e motër kishin në Velipojë. Ajo ka dashur që të mobilojë me orendi të reja edhe shtëpinë ku jetonte i vëllai.

Dyshohet se kjo ka qenë edhe arsyeja e konfliktit mes tyre, që çoi deri në përdorimin e armëve nga ana e vëllait.

Sipas “News 24”, pak ditë më parë autori i dyshuar ka telefonuar kompaninë ku motra e tij kishte bërë porosinë e mobiljeve duke lëshuar një lumë sharjesh ndaj tyre. Sipas dyshimeve 55-vjeçari i ka kërkuar para të motrës që t’ia jepte atij, duke mos qenë dakord me blerjet e orendive.

Gjithçka besohet se ka ndodhur të premten në darkë, kur pas një debati mes tyre Fabian Vukaj mbi këtë çështje, ka qëlluar motrën me armë dhe më pas në gjendje të dehur, ka dalë nëpër lagje duke rrëfyer krimin.

“Kam vrarë motrën dhe e kam në banesë”- janë fjalët që ka përdorur ai por që fqinjët nuk i kishin marrë seriozisht duke parë gjendjen e tij të pirë dhe për faktin se ai njihej si një njeri i alkolizuar.

Autori i dyshuar ka telefonuar sërish dhe kompaninë e mobiljeve dhe orendive duke i thënë atyre në telefon se: “A doni me fol me motrën time, nuk keni ku ta merrni, s’keni shans të flisni më me të”.

Dyshohet se ai ka qenë nën efektin e alkolit tërë kohën. Policia madje ka gjetur në banesë 6 shishe birre të boshatisura, armën e krimit si dhe disa gëzhoja.

Ka qenë një mikeshë e viktimës që i ka rënë disa herë telefonit dhe ka krijuar dyshime se diçka mund të ketë ndodhur, pasi edhe para disa muajsh Diana Vukaj i kishte kërkuar ndihmë duke i thënë:”hajde shpejt më merr se Fabiani ka plan për të më vrarë.” Kjo ka ndodhur në nëntorin e 2020-ës.

Zonja Vukaj madje kishte bërë edhe një denoncim për dhunë për vëllain e saj 3 vite më parë, por e ka tërhequr më pas denoncimin.

Sot Diana Vukaj do të festonte 58-vjetorin e lindjes, por i vëllai i mori jetën 3 ditë më parë.



Më të lexuarat