Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e Këshillit të Ministrave të firmosur nga Kryeministri Edi Rama në vitin 2019, për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila, shkruan newsbomb.al.
“Gjykata, bazuar në analizën e të gjitha pretendimeve të kërkuesit, vlerëson se kërkesa e tij duhet pranuar në objektin e saj, pasi është cenuar procesi i rregullt ligjor në aspektet e së drejtës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar, si dhe të standardit të arsyetimit të vendimit”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
V E N D O S I:
- Shfuqizimin e vendimit nr. 445, datë 28.06.2019 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, z. Zef Hila”.
- Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 10.05.2021 – Shpallur më 04.06.2021
Pro pranimit të këtij pretendimi, kanë votuar PRO gjyqtarët: Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja dhe Përparim Kalo, shkruan newsbomb.al. Kundër pranimit të këtij vendimi kanë votuar gjyqtarët: Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj.
Kujtojmë se, kryebashkiaku i PD Zef Hila u shkarkuar nga detyra në 28 qershor 2019, në prag të zgjedhjeve lokale të cilat opozita i bojkotoi. Me urdhër direkt të kryeministrit Edi Rama, Hila u shkarkua nga detyra për nëj incident të ndodhur në Bushat.
Materialet zgjedhore që ishin brenda një shkolle, u dogjën nga militantë dhe mbështetës të PD.
“Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë”, shkruante Rama, teksa firmosi urdhrin e shkarkimit.