Prapaskena

Llalla rrëfen sherret me ish-ambasadorin Donald Lu: Më erdhi në zyrë dhe kërkoi të shkelja ligjin

Publikuar: 31/05/2021

Ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka rrëfyer përplasjet me ish-ambasadorin Donald Lu.

“Marrëdhëniet e mia me ish-ambasadorin u kthyen në një konflikt personal lidhur me qëndrime që unë mbaja për çështje të caktuara. Ne kemi një problem që përulemi para çdo të huaji. Ajo ndodhi me ambasadorin Lu.

Kemi pasur debate për tema të caktuara sepse ai ndërhynte për të ndikuar në çështje që ai i mendonte ndryshe. Kemi pasur debate për reformën në drejtësi. Unë nuk kamë qenë kundër reformës në drejtësi, por jo sulmit ndaj sistemit të drejtësisë.

U kthye i gjithë shteti kundër sistemit të drejtësisë. Filluan të etiketoheshin të gjithë si kriminelë. Nisi edhe nga vetë presidenti Nishani që u hodh në sulm kundër sistemit. Ndoshta mendonin se në këtë mënyrë do të siguronin privilegje në të ardhmen.

Ia kam thënë Nishanit dhe Metës dhe kujtdo tjetër që nuk është kjo mënyra. Edhe me Lu ky ka qenë debati. Të mos sulmohej i gjithë sistemi. Me zotin Lu u kthye në një konflikt personal. Filluan debatet mediatike dhe sulme të ndërsjella pa pasur një arsye konkrete. Ai nuk po perceptonte dot mendimin ndryshe. Kërkonte që gjithçka të bëhej siç donte ai.

Donald Lu më cilësoi si pengues të reformës në drejtësi. Atë po e bënte parlamenti dhe nuk e di cfarë pengese mund të bëja unë. Prokuroria merrte pjesë vetëm nëpër tryeza” – tha Llalla në një intervistë për Syri TV ku ka prekur edhe përplasjen për hetimin që nisi prokuroria e Fierit për Bankers Petroleum.

“Prokurori i Fierit ka ushtruar në mënyrë korrekte detyrën. Ai ka bërë hetimin për shkak të shpërthimeve që ndodhën në zonën e Fierit. Ky ka qenë dhe një nga rastet kur Lu ka ndërhyrë. Lu më erdhi në zyrë bashkë me një përfaqësues të Bankers.

U ndamë në të njëjtat rrethana. Unë këmbëngula që prokuroria do të vazhdonte hetimet dhe nëse kishte përgjegjësi penale dikush do të shkonte para gjykatës. Kishte banorë që kishin mbetur pa banesa, pa toka dhe pa bagëti. Nuk besoj se edhe sot i kanë marrë ato. Është e vërtetë se sekretari amerikan Tillerson kishte aksione në Bankers.

A ishte hakmarrje? Nëse do të ishte rasti im që do të cenonte interesat e Tillerson do të ishte shumë interesante. A iu cenuan interesat? Pse jo?” – tha Llalla që dha një koment për ambasadoren Yuri Kim që e përshëndeti vendimin për dënimin e tij.

“Normalisht besoj se reagimi i saj ka lidhje me mua. Nuk është se e kam ndjekur. Jam të hequr në jetën private. Nuk e i kam ndjekur me interes deklaratat e ambasadores aktuale. Nuk kam interes për qëndrimet që ajo mban” – tha Llalla.



Më të lexuarat