Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka qenë i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan ku është shprehur se ai nuk ka asnjë listë të votuesve të anëtarësisë sepse Basha nuk e shikon të arsyeshme që t’i vendosë të gjithë kandidatët në të njëjtat kushte.
Ndërkohë, Arian Çani komentoi duke thënë se edhe pse nuk e sheh si fajtor, Lulzim Basha duhet të jepte dorëheqjen. Sipas tij, kreu aktual i PD-së është një djalë që lufton, por në kushtet e sotme kushdo që të ishte duhet të ikte. Sipas Çanit, Basha mund të rikandidonte më vonë pas një periudhe kohe.
Arian Çani: Ti e di si funksionojnë gjërat në Shqipëri, shumë rrallë ka ndodhur që liderat të japin dorëheqjen, mund t’i numërosh, janë me gishta, Lul Basha nuk hyn tek ata, unë mendoj që duhet ta jepte edhe pse mund të mos jetë faji i tij që këto zgjedhje nuk i fitoi. Por edhe nëse nuk është fajtori, unë mendoj që duhet ta jepte dhe mund të rikandidonte më vonë pas një periudhë kohe, s’ka rëndësi sepse ai nuk është dënuar, Basha është një djalë i mirë në thelb dhe djalë që lufton, por problemi është që në kushtet aktuale, kushdo që të ishte duhet të ikte, pse futesh në një garë të pabarabartë? Kur ti vetë e ke thënë siç e kanë thënë edhe këta rivalët e tjerë që listat e anëtarësisë, minimumi duhet t’i kishit, nuk i keni. Është e vërtetë që t’i i ke dhe të tjerët nuk i kanë?
Agron Shehaj: E vërteta është që listat e votuesve e anëtarësisë që do votojnë në zgjedhjet e 13 Qershorit, unë nuk i kam. Struktura e PD-së ka lista sidomos të qyteteve dhe degëve ku punon, ka lista, unë kam ato lista me atë cilat kam patur nevojë të punoj, kur kam qenë në Vlorë, tani në Tiranë. Çfarë kanë të gjithë, kam dhe unë, nuk kam listat e anëtarësisë.
Arian Çani: Po pse nuk i keni listat, nuk është detyrim statutor që nuk i keni listat?
Agron Shehaj: Nuk e di nëse është detyrim statutor, por sigurisht është detyrim nëse do të bësh, të lejosh zgjedhje që të gjithë të konkurrojnë në kushte të barabarta. I kemi kërkuar dhe nuk na i japin. Kjo tregon që kryetari aktual i PD-së nuk e shikon të arsyeshme t’i vendosë të gjithë kandidatët në të njëjtat kushte.