Prapaskena

Greqia do të njohë vaksinat kineze, Mitsotakis: Të gjitha janë të sigurta e të mira

Publikuar: 27/05/2021

Greqia do të njohë dhe lejojë në territorin e saj të gjithë personat e vaksinuar, pavarësisht nëse vaksina që kanë marrë është “perëndimore”, apo “lindore”.

Vendimi është njoftuar nga Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Vaksina më e mirë është shpejtësia dhe të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe të mira”, tha Mitsotakis për mediat greke pas përfundimit të diskutimeve në Bruksel në lidhje me certifikatën Covid -19, që është projektuar si dokument për të gjithë personat e vaksinuar në mënyrë që ata të udhëtojnë lirshëm e pa pengesa në vendet e BE.

Kjo certifikatë ishte një propozim i hershëm grek, që synon përmes saj të rigjallërojë sektorin e turizmit, të goditur fort përgjatë vitit të kaluar nga pandemia.

Mitsotakis u shpreh i kënaqur që BE pranoi këtë propozim të tijin. Megjithatë, BE deri më tani nuk ka vendosur nëse me këtë certifikatë do të pajisë edhe shtetasit e unionit të vaksinuar me vaksina që nuk janë njohur ende nga EMA, si Sputnik dhe vaksinat kineze.

Hungaria kërmbëngul në njohjen e tyre, pasi ka vaksinuar një pjesë të mirë të qytetarëve të vet me këto dy vaksina dhe ka kërcënuar me veto për çdo vendim tjetër.

Një zgjidhje që propozohet, është që BE të miratojë një rregullore të qartë dhe të përgjithshme dhe t’ua lërë në dorë vetë vendeve anëtare që të vendosin nëse do të njohin me certifikatën e vaksinimit personat e vaksinuar me doza nga produktet e pa autorizuara nga EMA.

Me zyrtarizimin e certifikatës së vaksinimit, atëherë mund të hapet rruga për shtetasit shqiptarë të vaksinuar që të udhëtojnë pa pengesa në drejtim të Greqisë, sipas kësaj deklarate të Mitsotakis.



Më të lexuarat